Kovid-19, ulet numri i të infektuarve dhe të hospitalizuarve, Zaev: Vaksinën shpresojmë ta sigurojmë në janar

28.12.2020 17:50

Virusi Korona u ka marrë jetën edhe 11 qytetarëve të vendit...

Virusi Korona u ka marrë jetën edhe 11 qytetarëve të vendit, ndërsa nga 700 teste të realizuara janë regjistruar 83 të infektuar, derisa janë shëruar 419 persona.

Në qendrat Kovid në të gjithë vendin po mjekohen 984 pacientë Kovid, bëjnë të ditur autoritetet shëndetësore, sipas të cilave ka edhe 320 shtretër të lirë.

Ditëve të fundit ka shënuar rënie numri i të infektuarve dhe atyre në trajtim spitalor nga virusi Korona në vend, prandaj kryeministri, Zoran Zaev, vlerëson se masat anti-Kovid po japin rezultate. Por, ai fton qytetarët që t’i respektojnë masat edhe gjatë festave që të shmanget piku i tretë. Kryeministri shpreson se vaksina anti Kovid do të arrijë në janar të vitit të ardhshëm.                       

“Presim që vaksina të arrijë në janar, nga burime tjera, pasi nga sistemi Kovaks thonë në mars, por kemi edhe rrugë më të shpejta. Sot komisioneri Varhej njoftoi se janë siguruar 70 milion euro për vaksina për Ballkanin perëndimor, që do të startojnë shumë shpejtë.”,- tha kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev.

VMRO-DPMNE: Evropa nisi vaksinimin, kur do të nisë RMV?

Por, nga VMRO-DPMNE pyesin nëse ministri i shëndetësisë Filipçe dhe kryeministri Zaev kanë realizuar takime me prodhuesit e vaksinave për sigurimin e tyre. Derisa Evropa po vaksinohet në Maqedoninë e Veriut vazhdon të flitet për të vdekur, të infektuar të ri dhe teste, kanë deklaruar nga VMRO-DPMNE, duke akuzuar pushtetin për keqmenaxhim të pandemisë dhe mos sigurim të vaksinës anti Kovid.                                       

“Kur do të nis vaksinimi kundër virusit Korona, cili është plani, me çfarë kualiteti do të jenë vaksinat dhe a do të kenë mundësi për zgjedhje të vaksinave nga prodhues të ndryshëm, e jo Filipçe të na bind se do të kemi vaksina për 400 mijë qytetarë nga KOVAKS mekanizmi, pa na sqaruar qartë kur do të arrijnë dhe cili është plani i vaksinimit?”,- theksoi Marija Andonovska nga VMRO-DPMNE.

Sipas VMRO-DPMNE-së, për vaksinimin që e planifikojnë Filipçe dhe Zaev, qytetarët nuk dinë pothuajse asnjë dhe janë në pritje të informative.

Që nga fillimi i pandemisë janë regjistruar gjithsej 81 mijë e 804 të infektuar, prej të cilëve 59 mijë e 650 janë shëruar, 2456 kanë vdekur, derisa numri i rasteve aktive aktualisht është 19 mijë e 698 persona. (Gyltene Sinani, TVM2)