Regjistrimi, Zaev: Nuk ka vend për panik

28.12.2020 18:13

Kryeministri, Zoran Zaev, ka deklaruar se regjistrimi i popullsisë....

Kryeministri, Zoran Zaev, ka deklaruar se regjistrimi i popullsisë do të zbatohet në përputhje me rregullat e eurostatit. Sipas tij nuk ka vend për panik pasi që atë do ta zbatojnë institucionet përkatëse dhe jo grupet politike apo komisioni shtetëror i regjistrimit siç ka qenë deri më tani.

Ai tha se opozita ka qenë e përfshirë në përpilimin e vetë ligjit teksa shtoi se po bëhen përpjekje që edhe kërkesa e saj për aplikimin e gjurmës së gishtërinjve të mund të jetë pjesë e procesit. Për këtë qëllim ai tha se po kontaktojnë donatorët pasi që është e pamundur të sigurohen mjete nga buxheti për shkak të procedurave.

“Regjistrimi nuk është proces i cili i obligon partitë politike apo që regjistron ato. Regjistrimi është obligim i qytetarëve dhe ata duhet të regjistrohen të gjithë sepse është në përputhje me rregullat e eurostatit, nuk ka më grupe politike që zbatojnë regjistrimin siç kishim komisionin shtetëror për regjistrim, institucionet janë ato që do ta zbatojnë. Numrin më të madh të të dhënave i marrim nga të dhënat bazë dhe shteti në çdo kohë mund të dijë se cilët banorë janë këtu dhe cilët janë më shumë se 1 vit jashtë. Askush nuk mund të gënjejë. Po bëjmë gjithçka që opozita të jetë e qetë dhe e sigurt.”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.

Bisedimet me Bullgarinë, Zaev: Do të vazhdojnë pas festave

Zaev komentoi edhe bisedimet midis Shkupit dhe Sofjes. Ai pret që ato të vazhdojnë pas festave të fundvitit.

“Pas festave do të mbajmë koordinim me ministrinë e jashtme kabinetin tim së bashku  përfaqësuesin special, Buçkovski, për ta vazhduar harmonizimin e planit aksionar, që punohet sipas propozimit tonë nën udhëheqjen e ministrit, Osmani. Me të përfshihen të gjitha sferat. Pres progres pasi të mbarojnë zgjedhjet, sepse është joracionale para zgjedhjeve të gjendet ndonjë zgjidhje.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.

Zaev shtoi se vendi do të vazhdojë me miqësi dhe sqarime për gjithçka që është hezitim apo pakënaqësi nga ana e bullgarisë lidhur me realizimin e marrëveshjes për fqinjësi të mirë. (Naim Ramadani, TVM2)