Botë
Vaksina anti-Covid sfidon edhe BE-në
29.12.2020 09:54
Nga vështirësitë logjistike me transportin dhe ruajtjen në temperaturë, te incidentet me dozat dhe skepticizmi për vaksinat....

Nga vështirësitë logjistike me transportin dhe ruajtjen në temperaturë, te incidentet me dozat dhe skepticizmi për vaksinat, vendet e Bashkimit Europian po përballen me sfidat e para të fushatës së vaksinimit kundër Covid-19. Spanja do i mbajë shënim personat që refuzojnë të vaksinohen.
Edhe vendet më të zhvilluara të Bashkimit Europian po hasin probleme me vaksinat kundër koronavirusit nga kompania “Pfizer/BioNTech”.
Kompania raportoi se shpërndarja e dozave është vonuar për tetë vende anëtare, mes tyre edhe Spanja, pasi u zbulua se transporti nga Belgjika po kryhej në kushtet frigoriferike jo të duhura.
Për të ruajtur efikasitetin, vaksina anti-Covid e “Pfizer”-it duhet të ruhet në temperatura -70 gradë Celsius, ose në 2 deri 8 gradë Celsius nëse përdoret brenda 5 ditëve.
Fushata e vaksinimit nisi fundjavën e kaluar në të 27-a vendet e BE-së, me të parët e listës, personat më të moshuar, punonjësit e stafit spitalor dhe politikanët.
Raportohet se në ditët e fillimit nuk kanë munguar as incidentet, siç është rasti i Gjermanisë, ku të paktën 8 pjesëtarë të një shtëpie për të moshuarit morën doza të vaksinës pesë herë më të larta sesa rekomandohet, e katër prej tyre përfunduan në spital.
Berlini tha se ka porositur edhe 30 milionë doza të tjera nga “Pfizer” por në Itali nuk munguan akuzat e disa politikanëve se Gjermania po e mban shumicën e furnizimit për popullatën e vet.
Mësohet se moti i keq me borë po vështirëson transportin e një ngarkese me 460 mijë vaksina në disa vende europiane, përfshirë rajonet italiane që tani po përgatiten për vonesa.
Skepticizmi për vaksinat antikovid, ndërkohë, vazhdon të mbetet i lartë, siç po ndodh në Spanjë ku vetëm 32 për qind thonë se janë të gatshëm të marrin dy dozat e pritshme, 55 për qind presin të mësojnë fillimisht për efektet e saj dhe mbi 8 për qind janë kategorikisht kundër.
Ministri spanjoll i Shëndetësisë, Salvador Ija, tha se vaksinimi nuk është i detyrueshëm por ata që do të refuzojnë ta bëjnë, do të mbahen shënim.
