Botë

Infeksionet në Wuhan, deri në 10 herë më të larta se shifra zyrtare

29.12.2020 12:27

Gati gjysmë milioni banorë në Wuhan, qyteti kinez ku u shfaq për herë të parë virusi korona...

Gati gjysmë milioni banorë në Wuhan, qyteti kinez ku u shfaq për herë të parë virusi korona, mund të jenë infektuar me Covid-19. Kjo shifër është gati 10 herë më e lartë se numri zyrtar i rasteve të konfirmuara, sipas një studimi nga Qendra Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).
 
Studimi përdori mostrat e gjakut të 34 000 njerëzve për antitrupa të koronavirusit, në Wuhan dhe qytete të tjera në provincën Hubei, si dhe në Pekin, Shangai dhe provincat e Guangdong, Jiangsu, Sichuan dhe Liaoning për të vlerësuar nivelet e infeksionit Covid-19.
 
Studiuesit gjetën një shkallë të prevalencës së antitrupave prej 4.43% për Covid-19 midis banorëve në Wuhan, një qytet me 11 milionë njerëz. Shkalla e prevalencës jashtë Wuhan-it është dukshëm më e ulët, tregoi studimi. Në qytete të tjera si në Hubei, vetëm 0.44% e banorëve të anketuar kishin antitrupa. Ndërkaq, jashtë provincës, antitrupat u zbuluan vetëm në dy persona midis më shumë se 12 000 banorëve të anketuar.
 
Megjithatë, autorët theksojnë se gjetjet e studimit nuk merren si statistikë përfundimtare.
 
Wuhani filloi përdorimin urgjent të vaksinave Covid-19, duke filluar nga 24 dhjetori në 48 klinika të caktuara në 15 rrethe në qytet, duke synuar disa grupe kryesore të njerëzve”, tha Ai Zhenyu, zëvendësdrejtori i kësaj qendre, gjatë një konference shtypi.
 
Kjo fushatë vaksinash do të përfshijë persona që janë midis 18 deri në 59 vjeç, të cilët do të duhet të marrin dy doza me një interval katërjavor.