Maqedoni

Filipçe: Vaksinat e para në RMV do të arrijnë në shkurt

30.12.2020 14:05

Vaksinat e para anti Kovid në Maqedoninë e Veriut do të arrijnë në shkurt, paralajmëron ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe...

Vaksinat e para anti Kovid në Maqedoninë e Veriut do të arrijnë në shkurt, paralajmëron ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, duke njoftuar arritjen e marrëveshjes direkte me Kompaninë “Fajzer”. Sasia e vaksinave do të bëhet e ditur gjatë muajve të ardhshëm, bën të ditur ministri.
 
Po shqyrtohen edhe mundësi të tjera që vendi të furnizohet sa më parë me vaksinat anti Kovid, thotë Filipçe, duke shtuar se vaksinat janë të sigurta, ndërsa vaksinimi është i nevojshëm për të krijuar imunitet kolektiv. 
 
“Jemi në komunikim me të gjitha vendet evropiane të cilat i kanë ofruar mekanizmat për ndihmë. Unë besoj se para muajit mars vaksinat të arrijnë në vendin tonë. Nuk ka çmim që qeveria nuk do të mund ta paguajë për vaksina. Të gjithë prodhuesit me të cilët bisedojmë janë prodhues që tanimë i kanë filluar procedurat administrative për të marrë leje, që do të thotë se porosia e dytë është se të gjitha vaksinat që do të arrijnë në vend janë absolutisht të sigurta.”,- deklaroi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
 
Ditëve të fundit numri i të infektuarve ka shënuar ulje, ashtu si edhe i pacientëve Kovid që kërkojnë trajtim spitalor, prandaj vende të lira ka edhe në klinikën infektive edhe në klinikat interne.
 
Por, ministri theksoi nevojën e vazhdimit të respektimit të masave anti Kovid, pasi nëse nuk respektohen masat mund të ketë valë të re infektimesh. Policia do të jetë e angazhuar maksimalisht gjatë festave të fundvitit, thotë Filipçe. 
 
“Me rekomandimet e fundit, me mbylljen e objekteve hotelierike kemi efekt serioz në uljen e personave të rinj pozitiv, besoj se edhe qytetarët do të jenë të vetëdijshëm dhe të ndërgjegjshëm në periudhën që vjen. Policia ashtu si edhe deri më tani, edhe në periudhën para nesh do të vazhdojë me intensitetin e njëjtë të punës, që të shmangim krizën që mund të ndodhë.”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
 
Aktualisht në vend ka mbi 19 mijë raste aktive me Kovid-19, por pasi prej disa ditësh numri i të infektuarve ka qenë më i ulët se sa ai i të shëruarve, vërehet një ulje e të infektuarve për rreth 2 mijë e 500 persona, pasi gjatë pikut të valës së dytë numri i të infektuarve kishte tejkaluar 22 mijëshin. 
 
FITORE DEMOLLI