Maqedoni

U nënshkrua marrëveshja, së shpejti vihen në funksion 300 punkte të postës

30.12.2020 14:26

Në afat prej 2 muajsh gjithsej 300 punkte të Postës së Maqedonisë do të vihen sërish në funksion për të realizuar shërbime të qarkullimit pagesor....

Në afat prej 2 muajsh gjithsej 300 punkte të Postës së Maqedonisë do të vihen sërish në funksion për të realizuar shërbime të qarkullimit pagesor. Këto aktivitete vihen në funksion pas nënshkrimit edhe zyrtarisht të marrëveshjes mes Shoqërisë aksionare “Postat e Maqedonisë” dhe Shoqërisë aksionare “Halk Bank”. Jani Makraduli nga Posta e Maqedonisë theksoi se përpos rikuperimit financiar me këtë marrëveshje u jepet fund edhe radhëve para ekspoziturave bankare.
 
“Kjo nënkupton një hap drejt stabilitetit financiar të kompanisë sonë, një mungesë që ka ndodhur pas falimentimit të “Euro Standard” dhe ky rikuperim financiar do të na japë mundësinë të përkushtohemi në prioritetet bazë, e ato janë t’i përmirësojmë shërbimet postare. Të gjitha ato rrëmuja që i shohim para bankave  do të zvogëlohen pasi 300 pika të tjera do të jenë në dispozicion të qytetarëve.”,- tha drejtori i SH. A. “Postat e Maqedonisë”, Jani Makraduli.
 
Aksionet dominante të bankës Halk janë nga Turqia dhe kjo përbën një fakt plotësues për fuqinë financiare që posedon shoqëria, theksoi drejtori ekzekutiv i Halk Bankës, Bilall Suçibash.
 
“Duhet ta theksojmë faktin se pronësinë dominante të aksioneve tona i posedon “Halk Bank” - Turqi, kompania amë e cila ka plot 86 vite në Republikën e Turqisë si një nga faktorët më të rëndësishëm në këtë sektor dhe dua të them se kemi mbështetje edhe në këtë aspekt. Pra mund të themi se pas Postës së Maqedonisë qëndron një burim i fortë.”,- tha drejtori ekzekutiv i Sh. A. “Halk Bank”, Bilall Suçibash.
 
Pas falimentimit të bankës “Euro Standard”, më 12 gusht të gjitha operacionet pagesore u bllokuan përmes Postës. Nga marrëveshja e finalizuar mes Sh. A. “Postat e Maqedonisë” dhe Sh. A. “Halk Bank” është arritur që 71 për qind nga qarkullimi i përgjithshëm t’i mbes postës, ndërsa 29 për qind do jetë për bankën. 


ZEKIRJA MEXHITI