Botë
Kroaci, kanë vazhduar dridhjet e tokës
30.12.2020 15:21
Në Kroaci kanë vazhduar dridhjet e tokës...

Në Kroaci kanë vazhduar dridhjet e tokës. Pas tërmetit të së martës prej 6.2 shkallësh, janë regjistruar edhe tre tërmete të tjera, me epiqendër në zonën e Petrinjës. Tërmeti më i fuqishëm ishte 4.8 shkallë të Rihterit, raportoi Shërbimi Sizmologjik kroat. Nga frika e tërmetit shumë banorë të pjesën qendrore të Kroacisë e kaluan natën jashtë shtëpive të tyre.
“Në shtëpi hynim vetëm për kontroll, për të parë nëse ka dëme. Nata ishte e vështirë, kam fjetur vetëm gjysmë ore.”,- tha një qytetar.
“Natë pa gjumë. Përkundër të gjithave binte edhe shi. Kjo nuk mbahet mend. Ika nga banesa ime shkova te vëllai im.”,- theksoi një qytetar.
“Para pak çastesh ndodhi një tërmet, kam fjetur në veturën time.”,- potencoi një qytetar.
Spitalet janë të mbushura me të lënduar, ndërsa shumë njerëz kanë mbetur pa kulm mbi kokë. Të gjitha shërbimet janë përfshirë në kërkimin e njerëzve që besohet se kanë mbetur nën rrënoja.
Kryebashkiaku i Petrinjës, Darinko Dumboviq, ka thënë se rreth gjysma e qytetit është shkatërruar. Tërmeti i së martës është ndjerë në kryeqytetin kroat, Zagreb, në Bosnje e Hercegovinë, në Serbi dhe, madje, në Itali. Kryeministri kroat Andrej Plenkoviç tha mbrëmë se gati 16 milion euro ndihmë janë dhënë pas tërmetit shkatërrues në Petrinja dhe u shprehu ngushëllime familjeve të viktimave.
Në këto çaste të vështira për Kroacinë nuk ka munguar edhe ndihma nga shumë vende përfshirë dhe shtetet ballkanike. Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka ndarë një ndihmë prej 6 milion denarë, ndërsa qyteti I Shkupit ka ndarë 50 mijë euro ndihmë. Po ashtu Shqipëria ka ndarë 250 mijë euro, ndërsa Serbia ka premtuar një million euro ndihmë për Kroacinë. Që nga fillimi i shekullit të 20-të, të paktën shtatë tërmete me të njëjtin intensitet janë regjistruar në Kroaci, ndërsa së paku katër nga ta kanë qenë tejet të fuqishme.
GYLTENE SINANI
