Maqedoni
Anketë e “Eurothing”, është rritur për 20% dëshpërimi në RMV ndaj BE-së
30.12.2020 15:54
Pjesa dërmuese e qytetarëve, apo 67,3 deri në 70 për qind e qytetarëve, çdo vit janë përkrahës të fuqishëm të rrugës eurointegruese të vendit në BE.....

Pjesa dërmuese e qytetarëve, apo 67,3 deri në 70 për qind e qytetarëve, çdo vit janë përkrahës të fuqishëm të rrugës eurointegruese të vendit në BE. Por, dëshpërimi i qytetarëve për vendimet e BE-së drejt RMV-së është rritur për 20 për qind në krahasim me vitin e kaluar dhe të njëjtit mendojnë se BE nuk është korrekte përball RMV-së. Kështu ka rezultuar anketa e fundit e Qendrës për Strategji Hulumtuese “Eurothing”.
Magdalena Lenovska koordinatore e projektit “Qytetarët për kapitujt 24” dhe hulumtues në Qendrën për Strategji Hulumtuese në rrugën eurointegruese “Eurothing”, ka potencuar se këtë vit risi në këtë anketë është se mbi 77 për qind e qytetarëve janë të mendimit se rreziku kryesor për vendin vjen nga Bullgaria, ndërsa si miq më të mëdhenj të vendit i vlerësojnë SHBA-të, Serbinë, Gjermaninë dhe Turqinë. Edhe kësaj radhe, Armata e vendit ka marrë besimin më të madh të qytetarëve, e më pas vijnë Policia dhe Bashkësitë Fetare.
“Po shohim se me kalimin e kohës po zvogëlohen perceptimi se vendi po ecë në drejtimin e duhur. Maqedonasit mendojnë se vendi po ecë në drejtim të gabuar, ndërsa shqiptarët me 37 për qind kanë mendim se vendi po ecë në drejtim të duhur. 59 për qind e maqedonasve mendojnë se integrimi i vendit në BE është hap i duhur, ndërsa kjo përqindje tek shqiptarët është 88 për qind. 29,1 dhe 30,3 për qind e qytetarëve në vitin 2019 kishin mendim se BE nuk po sillet korrekt me Maqedoninë, ndërsa tani kjo përqindje ka shkuar në 59,2 për qind, ndërsa 21,2 për qind mendojnë se qëndrimi i BE-së është fer.”,- tha koordinatore e projektit “Qytetarët për kapitujt 24” Magdalena Lenovska.
“Reagimi i Bullgarisë në lidhje me fillimin e bisedimeve për anëtarësim ka lënë më së shumti gjurmë në këtë anketë për sa i përket pyetjet se cilat vende janë miqtë e vërtetë të RMV-së. Kjo veto kishte impaktin e njëjtë me veton franceze.”,- theksoi Aleksandar Stojanovski nga “Eurothing”.
Sipas të njëjtit hulumtim, nëse nesër mbahet referendum për anëtarësimin e Maqedonisë në BE, 65,9 për qind do të votonit për “pro”, 16,8 për qind “kundër”. Shumica e qytetarëve janë shprehur se me anëtarësimin e vendit në BE rritet standardi jetësor dhe ulja e papunësisë. Ndërsa 58 për qind e qytetarëve janë shprehur se me anëtarësimin e RMV-së në BE humbet identiteti nacional, ndërsa 46 për qind janë shprehur se nuk do të ketë kurrfarë përmirësimi. Kjo anketë realizohet së paku një herë në vit, ndërsa është realizuar kryesisht pas vetos bullgare, me qëllim që të shihet vullneti i qytetarëve.
Hulumtimi është bërë për kapitullin 24, ku përfshihen të drejtat, liritë dhe siguria, por theksi i është dhënë edhe kapitullit 23, ku përfshihen sistemi gjyqësor. Anketa është realizuar në bashkëpunim me Agjencinë “Indago”, në periudhën nga 10 deri më 21 dhjetor 2020, ku janë anketuar 1003 qytetarë.
FITIM KRYEZIU
