Botë

Kina dënon dhjetë aktivistë të Hong Kongut, të kapur në det

30.12.2020 20:53

Dhjetë aktivistë të Hong Kongut, të arrestuar në det derisa përpiqeshin të iknin në Tajvan me anije, janë dënuar me burg në Kinë...

Dy të tjerë - nga grupi i të rinjve i quajtur Hong Kong 12 - janë të mitur dhe do të kthehen në Hong Kong.
 
Aktivistët janë kapur në gusht derisa kanë bërë përpjekje për të ikur nga qyteti, i cili ka miratuar një ligj të ashpër për sigurinë kombëtare, të prezantuar nga Pekini.
 
Ata janë akuzuar për organizimin e kalimit të paligjshëm të kufirit.
 
Dënimet e shqiptuara nga gjykata në qytetin Shenzhen variojnë nga shtatë muaj deri në tre vjet burgim.
 
Gjykata tha se të 12 të pandehurit janë deklaruar fajtorë për krimet e tyre.
 
Seanca dëgjimore ka nisur më 28 dhjetor dhe ka qenë e mbyllur për gazetarët dhe diplomatët e huaj.
 
Familjarët e të pandehurve kanë thënë se ata nuk kanë mundur t’i zgjedhin avokatët e tyre dhe se akuzat janë të motivuara politikisht.
 
Qindra qytetarë të Hong Kongut kanë kërkuar strehim në Tajvan që nga fundi i vitit të kaluar, për t’i shpëtuar represionit në rritje nga regjimi në Pekin.
 
Hong Kongu ka qenë koloni e Mbretërisë së Bashkuar deri në vitin 1997, kur i është dorëzuar Kinës në bazë të kornizës “një shtet, dy sisteme”.
 
Me këtë kornizë, qyteti i Hong Kongut ka pasur të drejta të veçanta që nuk i ka gëzuar pjesa tjetër e Kinës komuniste, por thuhet se Ligji i ri i sigurisë kombëtare tani e dëmton atë./evropaelire