Maqedoni
2020-a nga prizmi i pushtetit dhe opozitës, Ahmeti: Anëtarësim në NATO, negociata me BE-në; Mickoski: Veto për në BE dhe zgjedhje kriminale
31.12.2020 17:13
Krerët e partive politike me vlerësime të ndryshme për zhvillimet politike gjatë vitit 2020...

Sipas kreut të BDI-së, viti që lëmë pas me gjithë vështirësinë e vet për shkak të pandemisë është viti kur vendi u bë anëtare e NATO-s dhe mori vendim pozitiv për fillimin e negociatave. Çmoi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare dhe punën e Qeverisë. Edhe në urimin e fundvitit, ftoi në unitet,
“Si të tillë, të bashkuar dhe të barabartë, këtë vit u anëtarësuam në NATO dhe përfituam dritën e gjelbërt nga Bashkimi Europian për negociatat aderuese duke rrumbullakësuar kështu ëndrrën shumë-dekadëshe dhe përcaktimin rilindas. Të bashkuar ngadhnjyem edhe në zgjedhjet e korrikut dhe arritëm marrëveshjen qeverisëse e cila u përshëndet nga të gjithë ndërsa sot jemi në zbatim e sipër”, u shpreh kryetar i BDI-së, Ali Ahmeti
Ndryshe nga Ahmeti, kreu i VMRO DPMNE-së në opozitë, Hristijan Mickovski konsideron se 2020 ishte një vit i dështuar politik. Sipas tij, qeveria nuk e ka menaxhuar mirë situanë me epideminë, ka dëmtuar ekonominë dhe ka dështuar në procesin integrues.
“E shkatëruan ekonominë dhe e sollën në recession; përderisa e shitën identitetin, në vend që të sillnin të ardhme europiane, na sollën veto. Demokracia u shkel me zgjedhje kriminale; drejtësia u robërua. E shkatëruan shëndetësinë. Mbi 50 mijë njerëz mbetën pa punë. Arsimi është shkatëruar ndërsa krimi dhe korrupcioni po rritet”, theksoi kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
Ndërkaq, ASh e cilësoi BDI-në si rekordere të mashtrimit.
“Që në 18 vite të qeverisjes dhe në gjashtë qeveri të ndryshme s’ka realizuar kurrë ndonjë premtim brenda 100 ditëshit të parë edhe kjo s'është risi! Që për ta, politika është mashtrim dhe jo seriozitet për premtimet që jep, edhe kjo nuk përbën risi!” – thuhet në kumtesën e ASh-së.
SHPËTIM NUREDINI
