Maqedoni

Pritja e Vitit të Ri 2021 në RMV, pandemia zbehu festën në ndërrimin e motmoteve

01.01.2021 14:55

Nata e pritjes së Viti të Ri ka qenë në përgjithësi e qetë pa shkelje të mëdha të rendit dhe qetësisë publike....

Pandemia e Covid-19 zbehu këtë vit festën për ndërrimin e motmoteve, megjithëse nuk munguan fishekzjarrët dhe krismat me mjete piroteknike nga ana e qytetarëve. 
 
Në kulmin e betejës me valën e dytë të virusit, autoritetet vendore ishin të detyruara të sjellin masa kufizuese, si mbyllje të objekteve gastronomike prej orës 18 dhe ndalim të grupimit të më shumë se katër personave. Kjo detyroi qytetarët që Vitin e Ri ta presin në shtëpi. Derisa ora shënonte fillimin e Vitit të Ri, pos në sheshin Maqedonia, që vërehej një frekuentim më i madh i qytetarëve, rrugët tjera në vend ishin thuajse të zbrazëta. Për të frenuar përhapjen e virusit, autoritet vendosën që të mos organizojnë spektaklin tradicional të fishekzjarrëve dhe koncertet apo mbrëmjet tradicionale që janë organizuar për pritjen e Vitit të Ri.
 
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, natën e Vitit të Ri e vlerësoi si të qetë, pa shkelje serioze të rendit dhe qetësisë publike. Ai tha se janë regjistruar 16 vepra penale, prej të cilave më së shumti në Tetovë. Bëhet fjalë për dhunë, vjedhje dhe shkelje të masave për mbrojtje nga virusi Korona.
 
“Në përgjithësi kishim një natë të qetë në të gjithë shtetin, pa shkelje të rendit dhe qetësisë publike. Në të gjithë territorin e vendit janë regjistruar 16 vepra penale, prej të cilave pesë janë në SPB - Tetovë, nga tre në SPB - Shkup, SPB - Strumicë dhe SPB - Ohër dhe nga një në SPB - Veles dhe SPB – Shtip.”,- tha ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
 
Organizime për Vitin e Ri nuk pati as në qytetet tjera të Maqedonisë së Veriut. Kamera e Servisit Publik regjistroi ndërrimin e motmoteve në atmosferë të qetë dhe pa shumë eufori në qytetet e Strugës, Ohrit, Kumanovës, Prilepit dhe qytetet tjera të vendit.
 
ZEKIRJA MEXHITI