Botë
Pritja e Vitit të Ri në Kosovë, një i plagosur me plumb qorr
01.01.2021 15:20
Me fishekzjarrë dhe mjete tjera piroteknike u prit ndërrimi i motmoteve edhe në Prishtinë dhe qytetet tjera të Kosovës..

Me fishekzjarrë dhe mjete tjera piroteknike u prit ndërrimi i motmoteve edhe në Prishtinë dhe qytetet tjera të Kosovës, ku për shkak të pandemisë ishte e ndaluar që të festohet nëpër lokale. Por, duket se ka pasur edhe qytetarë që kanë vendosur të festojnë me krisma armësh, nga të cilat ka pësuar një qytetar i Ferizajt, i cili është plagosur nga një plumb qorr, derisa ishte duke shikuar fishekzjarrët në tarracën e shtëpisë së tij 10 minuta pas mesnatës. Po ashtu ka pasur edhe dhjetë të lënduar nga mjetet piroteknike, njëri nga të cilët me lëndime serioze në dorë.
“Sapo dëgjuam që kemi një qytetar të plagosur me një plumb që quhet qorr dhe nuk dihet nga erdhi. Po ashtu edhe një qytetar tjetër me lëndime nga mjetet piroteknike. Fatmirësisht mësuam nga ekipet kujdestare se numri i të lënduarve këtë vit është më i vogël në krahasim me vitet e mëhershme.”,- tha u. d. drejtor i SHSKUK-së Prishtinë, Valbon Krasniq.
“Gjendja është stabile te të gjithë të tjerët me përjashtim të atij pacientit me plumb në qafë dhe pret për diagnostikim të mëtutjeshëm.”,- u shpreh mjeku kujdestar në Qendrën Emergjente – Prishtinë, Adem Jaha.
Ndërsa foshnja e parë e lindur në Vitin e Ri, përkatësisht një minutë pas mesnate, është vajzë dhe lindi në Klinikën e Gjinekologjisë në Prishtinë, ku gjithsej vitin që e lamë pas kanë lindur 8700 foshnje.
“Gjatë vitit të kaluar 2020 kanë lindur, 8700 foshnje në Klinikën e Gjinekologjisë, prej të cilave 3700 me operacion, ndërsa tjerat me lindje spontane.”,- u shpreh një nga Klinika e Gjinekologjisë - Prishtinë.
Gjatë vitit që e lamë pas, në Kosovë kanë lindur edhe 46 foshnje nga nëna të prekura nga virusi Korona.
GYLTENE SINANI
