Botë
Ndërrimi i motmoteve, bota priti Vitin e Ri në kushte pandemie
01.01.2021 16:15
Vendet e të gjithë botës pritën Vitin e Ri me shpresë se në vitin 2021 do të tejkalohet pandemia që shkaktoi Covid-19 në mbarë globin...

Vendet e të gjithë botës pritën Vitin e Ri me shpresë se në vitin 2021 do të tejkalohet pandemia që shkaktoi Covid-19 në mbarë globin. Për herë të parë pas një gjysmë shekulli këtë vit festa qendrore që mblidhte me qindra mijëra njerëz pranë njëri-tjetrit në sheshin “Times Square”, në New York të ShBA-ve, ishte i mbyllur për publikun. Ndërrimin e motmoteve Gjermania e kaloi nën masa të rrepta për ta mposhtur pandeminë.
“Në fakt nuk mendoj se është kaq keq. Edhe ashtu nuk jam ndonjë adhuruese e kremtimit të Vitit të Ri dhe nuk më pëlqen piroteknika. Fishekzjarret janë të mrekullueshme, por gjuajtjet me armë zjarri më ngritin nervat.”,- tha një qytetare.
“Definitivisht e kuptojmë, kjo ka për qëllim të na mbrojë. Sa më përket mua nuk ka nevojë fare për fishekzjarre.”,- theksoi një qytetar.
Kremtimi i ndërrimit të motmoteve nuk pati dallim edhe në vende të tjera të botës.
“Lidhur me fishekzjarrët, mendoj se kjo ishte festa më e qetë në dhjetë vitet e fundit.”,- tha një qytetar.
Franca dhe Italia kanë ndaluar qarkullimin e qytetarëve gjatë natës, ndërkohë që shumë ahengje janë anuluar në Londër, Stokholm dhe qytete të tjera të botës, megjithatë pati edhe nga ata që kishin dalë në rrugë për të festuar.
“Patjetër të festojmë, të festojmë për jetën tonë dhe të familjarëve tanë dhe për të gjithë ata që ndodhen këtu. Kam dhimbje të madhe për të gjithë ata që ikën gjatë këtij viti, por jeta duhet të vazhdojë.”,- deklaroi një qytetar.
Vitin 2021 të parët e kanë pritur banorët e ishujve Samoa dhe Kiribati ndërkohë pas tyre ka festuar Zelanda e Re.
“Zakonisht Viti i Ri është kremtim i vitit, besoj se të gjithë dëshiruan ta shohin fundin e vitit 2020 dhe kuptohet se fundi i këtij viti sjell fillimin e një viti të ri.”,- u shpreh një qytetare.
Australia përshëndeti Vitin e Ri 2021, me një spektakël fishekzjarrësh mbi Shtëpinë e Operës në Sidni. Por, si asnjë herë tjetër, ky Vit i Ri nuk u prit me turma festive, të cilat janë ndaluar për shkak të pandemisë. Por derisa virusi korona ndali festën në shumë vende, qytetarët e qytetit kinez Vuhan, prej ku mendohet se e ka origjinën virusi korona festuan në shesh dhe lokale.
Sido që të jetë me më shumë se 1.7 milionë të vdekur dhe 82 milionë të infektuar në të gjithë globin, vitit 2020 mbetet si asnjë tjetër në kujtesën e njerëzimit. Megjithatë, Viti i Ri fillon me shpresën se vaksinat që filluan të shpërndahen në të gjithë globin do të ndihmojnë në frenimin e pandemisë.
NAIM RAMADANI
