Spasovski: Nata e Vitit të Ri ishte kryesisht e qetë
Nata e vitit të ri ishte kryesisht e qetë...

Nata e vitit të ri ishte kryesisht e qetë, vlerësoi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski. Ai tha se Policia dhe Inspektorati Shtetëror i Tregut kanë qenë të angazhuar për respektimin e masave anti-Kovid në natën e ndërrimit të motmoteve.
“Në tërë territorin e RMV-së janë regjistruar 16 vepra penale, prej të cilave 5 në rajonin e SPB - Tetovë, nga tre në SPB - Shkup, Ohër dhe Strumicë dhe nga një në SPB - Veles dhe Shtip. Në Sektorin e Punëve të Brendshme në Kumanovë nuk ka pasur asnjë vepër penale. Prej tyre 5 vepra kanë të bëjnë me mosrespektim të masave shëndetësore gjatë epidemisë, të konstatuara gjatë kontrolleve në objektet hotelierike.”,- deklaroi ministri i MPB-së, Oliver Spasovski.
Po ashtu janë regjistruar edhe tri vjedhje të rënda, dy persona të kapur me lëndë narkotike dhe nga një vepër vjedhje dhe lëndim të rëndë, përkatësisht dhunë dhe sulm të personit zyrtar, lëndim gjatë dhunës familjare dhe rrezikim të sigurisë në komunikacion.
Po ashtu Policia ka konstatuar 13 shkelje në territorin e vendit, 8 prej të cilave në rajonin e Shkupit, dy në rajonin e Shtipit dhe nga një në rajonet e Manastirit, Ohrit dhe Tetovës.
Shkeljet kanë të bëjnë me përdorimin e mjeteve piroteknike dhe incidente tjera. Po ashtu ministri bëri të ditur se janë kontrolluar 288 objekte hotelierike në Shkup dhe janë arrestuar dy persona për cenimin e rendit publik dhe qetësisë.
Në numrin e telefonit falas, i cili ka qenë i promovuar nga MPB për lajmërime të organizimeve të ahengjeve, janë regjistruar 22 thirrje nga qytetarët, ndërsa 9 thirrje kanë qenë për organizim të ahengjeve dhe festave në vikend, shtëpi dhe objekte banesore. (Fitim Kryeziu, TVM2)
