Filharmonia e Vjenës performoi koncertin e vitit të ri 2021
Sot paradite Filharmonia e Vjenës.....

Sot paradite Filharmonia e Vjenës, me gjithë masat kufizuese të pandemisë Kovid 19, arriti të performojë drejtpërdrejt Koncertin e Vitit të Ri 2021. Në sallën “Muzikeveren” në Vjenë për herë të parë në më shumë se gjysmë shekulli historie të koncertit, nuk pati audiencë. Askush nuk ishte ulur në karriget e publikut në sallën e artë.
Orkestra në skenë ishte në formatin e saj të plotë dhe u dirigjua nën shkopin e dirigjentit Rikokardo Nuti, i cili drejtoi për të gjashtën herë Filharmoninë e Vjenës dhe ngjarjen prestigjioze të koncertit.
Pjesët e zgjedhura në repertorin e sivjetmë ishin kompozime të familjes Shtraus dhe bashkëkohësve të tyre, të gjitha në variantin master.
Pamjet që ilustruan interpretimet muzikore ishin kryesisht relike, me vlerë historike. Filmi dokumentar në intervalin midis dy pjesëve të koncertit ishte po ashtu një udhëtim në kohë i kështjellave, ndërtesave, shtëpive muze, e plot detaje të tjera arkivore dhe tradicionale. Edhe trupa e baletit me vallëzimet e tyre ishte konceptuar në të njëjtën frymë.
Boshllëkun e duartrokitjeve dhe publikut në sallë transmetuesi austriak ORF e solli disa herë drejtpërdrejt nga audienca televizive në mbarë botën. Koncerti u transmetua në mbi 90 rrjete televizive të rruzullit.
Teleshikuesit nga shtëpia ishin publiku i vetëm që ndoqi koncertin, midis tyre edhe shikuesit e programit tonë, të cilët si çdo vit e ndoqën atë me përkthim në gjuhën shqipe. (Merita Çoçoli, TVM2)
