Kovid kriza gjatë 2020–ës, mbi 19 mijë raste aktive dhe 2503 viktima
Kriza shëndetësore përmbyll vitin 2020....

Kriza shëndetësore përmbyll vitin 2020 në vend me mbi 19 mijë e 379 raste aktive me COVID-19, nga gjithsej 83 mijë 329 të prekur. 2 503 persona humbën betejën nga virusi pandemik, ndërkaq mbi 61 mijë persona u shëruan.
Situata e rënduar ditët e fundit të vitit që lamë pas shënoi përmirësim të lehtë. Të dhënat e fundit flasin për 536 infektime të reja. Situata më stabile shënohet edhe në spitale edhe përkundër 35 hospitalizimeve mbrëmjen e kaluar.
“Në klinikë janë të shtrirë gjithsej 122 pacientë. 100 janë me pasqyrë të rënduar shëndetësore. Ky është numri më i ulët i pacientëve. Moti kohë nuk kemi pasur numër të tillë të të hospitalizuarve dhe shpresoj se ky ritëm edhe do të vazhdojë. Klinika e fundit do të zbrazet pasi nuk do të ketë numër të lartë të pacientëve të sëmurë rëndë.”,- deklaroi drejtoresha e Klinikës Infektive, Milena Stevanoviq.
Në klinikat interne mbrëmë janë pranuar vetëm tre pacientë, pa të vdekur.
“Gjithsej kemi 104 shtretër të lirë nga kapaciteti i përgjithshëm prej 220 shtretërve, që do të thotë 116 të hospitalizuar dhe asnjëri nga pacientët nuk ka nevojë për ventilim apo respirator.”,- tha mjeku, Dejan Dokiq.
Në shkurt pritet të mbërrijnë dozat e para të vaksinës anti Kovid. Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, në interes të kompanisë prodhuese nuk zbulon numrin e dozave.
“Nga Kompania “Fajzer” na lutën që ende mos të publikohen dozat, edhe pse saktë e dimë se sa doza do të duhet të mbërrijnë në shkurt dhe sa në mars dhe prill. Javën e shkuar kemi pasur disa kontakte me Kompaninë “Fajzer” dhe mendoj se kjo është një politikë të cilën e zbatuan për shkak të rritjes së prodhimit të tyre. Ata mbajnë llogari për mbarë rajonin dhe vendet fqinje.”,- theksoi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Ministri Filipçe beson se shteti ka para një proces të suksesshëm të imunizimit me të cilën pritet t’i jepet fund pandemisë globale. (Meral Ismaili, TVM2)
