Viti i Ri në Shqipëri, me fishekzjarrë dhe festë në shtëpi

01.01.2021 19:46

Ndërrimin e motmoteve edhe në Tiranë...

Ndërrimin e motmoteve edhe në Tiranë e shënuan fishekzjarrët, ndërsa atmosfera festive për shkak të virusit Korona ishte koncentruar në shtëpitë e qytetarëve, pasi autoritetet kishin ndaluar lëvizjen pas orës 20:30.

Rama: Vaksina anti Kovid, javën e tretë të janarit

Por, lajmin e mirë e kumtoi kryeministri, Edi Rama, i cili ka njoftuar se “10 750 dozat e para të vaksinës anti Kovid në Shqipëri do të arrijnë në fillim të javës së 3 të janarit, ndërsa 30 250 doza të tjera do të vijnë në muajin shkurt.”

“Kemi dakordësuar marrjen e vaksinës nga Kompania “Pfizer”. Kemi dakordësuar blerjen e 500 mijë vaksinave nga “Pfizer”. 10.750 doza të vaksinës do vijnë në javën e tretë të janarit. 30 mijë doza të vaksinës do të vijnë në shkurt dhe në vazhdim. 9 mijë doza do të na i sjellin 2 vende partnere në mes të janarit.”,- deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Rama njëherit paralajmëroi se një pjesë të vaksinave do t’i ndajë për mjekët kosovarë.

“Kosovës do t’i dhurojmë një sasi për vaksinimin e bluzave të bardha të spitalit Kovid të Prishtinës, në mënyrë që heronjtë e vijës së zjarrit në Kosovë ta nisin vaksinimin në të njëjtë kohë me heronjtë tanë në Tiranë.”,- tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Njëherit një minutë pas mesnate në dy spitalet gjinekologjike të Tiranës kanë ardhur në jetë dy foshnjat e para të vitit 2021 të cilat janë të gjinisë femërore. Ndërsa në orët e para të Vitit të Ri në Shqipëri kanë ardhur në jetë 14 foshnje. (Gyltene Sinani, TVM2)