Maqedoni
Zaev: Vaksinat e para të “Fajzer" do të arrijnë në shkurt. Vaksinimi në RMV njëkohësisht me vendet e rajonit
03.01.2021 17:19
Vaksinat e para të “Fajzer" në Maqedoninë e Veriut do të arrijnë në muajin shkurt...

Vaksinat e para të “Fajzer" në Maqedoninë e Veriut do të arrijnë në muajin shkurt, ka deklaruar kryeministri, Zoran Zaev, në një intervistë për Agjencinë MIA. Kryeministri njëherit ka thënë se në kuadër të mekanizmit “Kovaks” janë siguruar 833 mijë vaksina me të cilat do të vaksinohen mbi 400 mijë qytetarë.
“Tanimë është konfirmuar se sasitë e para nga “Fajzer", vaksinat do të arrijnë në shkurt, ndërsa në kuadër të planit për distribuim, pjesa e mbetur pritet në muajt e parë të vitit 2021. Është paraparë edhe mekanizëm i tretë nëpërmjet BE-së, i cili është në procedurë të furnizimit të 200 milion vaksinave për vendet anëtare dhe 100 milion doza për vendet në Evropë jashtë unionit. Ne kemi aplikuar për 800 mijë doza nga këto 100 milion.”,- deklaroi Zaev.
Ai tha se vaksinimi masiv i popullsisë do të nisë njëkohësisht me vendet tjera të rajonit, thotë kryeministri.
“Lajme të mira janë ato që thonë se vaksina për qytetarët tanë do të arrijnë në të njëjtën kohë kur do të arrijnë edhe te disa nga vendet anëtare të BE-së, siç është Bullgaria, Austria, Greqia, Polonia, të cilat tanimë kanë paralajmëruar se një pjesë të vaksinave të tyre do të ndahen edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor.”,- theksoi Zaev.
Kryeministri njëherit theksoi se tempon e distribuimit të vaksinës e cakton sistemi “Kovaks”. Ai njëherit ka hedhur poshtë akuzat e opozitës për vonesa në furnizimin me vaksinën anti Kovid, pasi, sipas tij, Ministrisë së Shëndetësisë sapo i është dhënë mundësia për bisedime direkte me prodhuesit e vaksinave anti Kovid dhe ka vënë kontakt me kompanitë “Fajzer” dhe “Astra Zeneka”.
GYLTENE SINANI
