Maqedoni
Janevski: Turizmi, humbje të mëdha nga pandemia
03.01.2021 17:41
Pandemia me Covid-19 ka prekur të gjitha sferat e ekonomisë...

Pandemia me Covid-19 ka prekur të gjitha sferat e ekonomisë, por turizmi ka pësuar dëmet më të mëdha. Në bazë të përllogaritjeve të para thuhet se turizmi vetëm në Europë për vitin 2020 ka pësuar humbje deri në 60 për qind të të ardhurave të rregullta vjetore, por edhe numri i turistëve thuhet se këtë vit ka qenë më i vogël për rreth 1 miliard turistë.
Sipas njeriut të parë të Agjencisë për Përkrahje të Turizmit, Lupço Janevski, këtë vit mund të thuhet se masat për turizmin duhet të vazhdojnë dhe në këto momente janë duke u menduar mënyra tjera të subvencioneve, por paraprakisht po bëhen analiza për vauçerët, ndërsa qendrat turistike planifikohen të punojnë edhe jashtë sezonit.
“Në vitin 2021 nuk do të vlejnë ato vauçerët klasik, sepse ato do të jenë në të gjitha sektorët të pranishme, por ato duhet të jenë të modifikuara, ku duhet t’ju bëhet një analizë më e thellë dhe në këtë analizë duhet të përfshihen grupe të personave më të mëdha dhe të ketë balancim të destinacioneve, ku duhet t’ju jepen ndihma edhe hoteleve nëpër qytete, por edhe atyre që janë nëpër qendrat turistike.”,- deklaroi drejtori i Agjencisë për Promovim dhe Ndihmë të Turizmit, Ljupço Janevski.
Sipas Janevskit, në sezonin e ri planifikohet edhe zhvillim më i fuqishëm i qendrave turistike, por këtu sipas tij do të ndihmojë edhe vendosja e linjave të reja të fluturimit me Ukrainën, por edhe linja të tjera të cilat mund të vendosën në të ardhmen e afërt. Janevski po ashtu ka pohuar se turizmi në RMV gjatë vitit 2021 pritet të arrijë shifrat e 2,5 milion bujtjeve.
“Në vitin 2021 pres që baza e turizmit të jetë nga turistët vendorë edhe atë me rreth 60 për qind, ndërsa turistët e huaj të jenë me 40 për qind. Qëllimi ynë kryesor si Agjenci për Promovim dhe Ndihmë të Turizmit është që gjatë këtij viti të arrijmë diku rreth 2,5 milion bujqve, apo nëse e shndërrojmë në dollarë, ato duhet të jenë rreth 230 deri më 250 milion dollarë, që priten të futen në ekonominë e vendit nga turizmi dhe ne besojmë se e gjithë kjo është e arritshme. Në tre kuartalet e para të vitit 2020 rënia apo humbjet u përllogaritën në 181,7 milion dollarë.”,- tha drejtori i Agjencisë për Promovim dhe Ndihmë të Turizmit, Ljupço Janevski.
Rajoni dhe tregjet tradicionale mbeten në fokusin e ekonomisë në vitin 2021. Në bazë të prognozave të Organizatës Botërore të Turizmit, niveli i turistëve nga viti 2019 pritet të arrihet diku në vitin 2025.
FITIM KRYEZIU
