Botë

Dhoma e Përfaqësuesve SHBA, Nancy Pelosi rizgjidhet kryetare

04.01.2021 14:24

Nancy Pelosi u zgjodh kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve në mandatin e saj të katërt...

Nancy Pelosi u zgjodh kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve në mandatin e saj të katërt, me një shumicë më të ngushtë të demokratëve dhe me shumë sfida para vetes.
 
Demokratja nga Kalifornia, e cila ka udhëhequr partinë e saj në Dhomën e Përfaqësuesve që nga viti 2003 dhe është gruaja e vetme kryetare, mori 216 vota. Demokratët humbën 11 vende në zgjedhjet e nëntorit dhe aktualisht gëzojnë kontrollin e kësaj dhome me shumicë më të ngushtë 222 me 212. Kongresi i ri përballet me shumë sfida, mes tyre pandeminë që deri më tani u ka kushtuar me jetë më shumë se 350 mijë amerikanëve dhe me ripërtëritjen e ekonomisë amerikane.
 
Pelosi mirëpriti seancën e re të Kongresit, duke theksuar rëndësinë e rolit të ligjvënësve ndërsa vendi lufton pandeminë e virusit korona dhe krizën ekonomike të shkaktuar prej saj. Ajo tha se ligjvënësit po marrin përsipër përgjegjësi shumë kërkuese. Pelosi, 80-vjeçare, la të kuptohet se pas kësaj periudhe dyvjeçare nuk do të kërkojë një mandat tjetër si kryetare e Dhomës, në përputhje me një marrëveshje të bërë me demokratët në vitin 2018 të cilët dëshironin që ajo të largohej si kryetare që atëherë.