Maqedoni
Shkup, Ministria për Sistem Politik, me objekt të ri
04.01.2021 16:05
Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie me Bashkësitë prej sot është vendosur...

Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie me Bashkësitë prej sot është vendosur në objektin të ri, që ndodhet pranë Ministrisë së Jashtme në Shkup.
Në ceremoninë e përurimit morën pjesë kryetari i Parlamentit Talat Xhaferi, kryeministri Zoran Zaev, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti dhe funksionarë të tjerë të ftuar. Megjithëse u paralajmërua, zëvëndës kryeministri i parë Artan Grubi, që drejton këtë ministri, nuk u deklaruar para gazetarëve, të cilëve në një pres konferencë iu drejtua vetëm kreu i ekzekutivit.
Zaev përmendi me këtë rast konceptin e një shoqërie të njëjtë dhe të barabartë për të gjithë. Sipas tij, Ministria për Sistem Politik, është themeluar me qëllimin e vetëm për të përmbushur sa më mirë nevojat e të gjithë qytetarëve.
"Parimet dhe vlerat evropiane janë thelbësore në rrugën tonë në të cilën jemi tashmë dhe që nënkuptojnë bashkimin dhe respektimin e identiteteve individuale dhe kolektive, kujdesin për diversitetin dhe qytetarët e prekshëm, respektin për multikulturalizmin dhe dialogun ndërkulturor", tha Zaev duke përkujtuar përkushtimin për ndërtimin e standardeve europiane që nënkuptojnë përgjegjësi dhe llogaridhënie, luftë pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit, për të siguruar një jetë dinjitoze për të gjithë.
Ndërtesa e re e ministrisë është pjesë e ndërtimeve të projektit Shkupi 2014, por Zaev sqaroi se me 10 milion euro të kursyera, u shlye huaja drejt ShoqërisëAksionare për Banesa dhe Ndërmarrje dhe kështu ekzekutivi përfitoi një ministri të re.
