Maqedoni

Zaev dhe Besimi, optimistë: 2021 vit i riparimit të ekonomisë

05.01.2021 14:55

Duke e cilësuar vitin 2020 si një vit të vështirë për ekonominë, ministri i Financave, Fatmir Besimi...

Duke e cilësuar vitin 2020 si një vit të vështirë për ekonominë, ministri i Financave, Fatmir Besimi, shfaqi optimizëm se në vitin që sapo kemi hyrë do të krijohen kushte për rritje ekonomike. Mirëmenaxhimi i deritanishëm me krizën paraqet një arsye shtesë se vendi do t’ia dalë edhe përskaj vështirësive, thotë Besimi. 
 
“Mund të them lirisht se ky vit që shkoi ishte jashtëzakonisht i vështirë, mirëpo arritëm me sukses të zbusim efektet e krizës, ndërsa për vitin 2021 gjithashtu do të shtoj që do të jetë vit i sfidave të mëdha, mirëpo me një kurajo të fuqishme që realizuam në vitin 2020 që në vitin 2021 do të jetë një vit ku politikat e drejta do të japin efektet e tyre për të garantuar dhe për siguruar efektet e krizës, por edhe një bazë të mire për rritje ekonomike në afat të mesëm.”,- tha ministri i Financave, Fatmir Besimi. 
 
Viti 2021 do të jetë vit i riparimit të ekonomisë, thotë kryeministri Zoran Zaev, i cili shpreson se gjatë këtij viti jeta do t’i kthehet normalitetit.
 
“Në vitin e ri 2021 të gjithë jemi me shpresë se pandemia do të shuhet dhe dalëngadalë do të kthehemi në normalitet, në mënyrën e rëndomtë të jetesës. Buxheti është i balancuar me fokus në sistemin shëndetësor, ekonominë, investimet kapitale, reformat në gjyqësor dhe eurointegrimet. Kemi një buxhet të planifikuar, të krijuar për t’u përgjigjur sfidave gjatë vitit të ardhshëm. Me një standard më të mirë e sjellim Evropën në shtëpi, a kjo nënkupton jetë më të mirë për çdo qytetar dhe për çdo individ në Maqedoninë e Veriut. 2021 është viti i sfidave të vërteta, viti për ringjalljen e ekonomisë, viti i rritjes ekonomike për të gjithë qytetarët.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
Zaev njëherit paralajmëroi se do të fillojnë përgatitjet për pakon e pestë që pritet të jetë gati në muajin shkurt. Sipas Zaev rritja e ekonomisë do të zhvillohet mbi katër shtylla edhe atë riparimi i ekonomisë nga Covid-kriza, rritje ekonomi stabile, përforcimi i konkurrencës në sektorin privat  dhe e katërta zhvillimi i resurseve njerëzore dhe mundësive të barabarta, prej ku do të fillojë stabiliteti i makroekonomisë dhe përshpejtimi i rritjes së ekonomisë.


ZEKIRJA MEXHITI