Maqedoni

Zaev: Nëse BE dëshmon solidaritet, vaksina mund të arrijë në janar në RMV.

05.01.2021 15:25

Kryeministri, Zoran Zaev, kërkon më shumë solidaritet nga vendet e BE-së sa i përket vaksinës anti Kovid që Maqedonia e Veriut...

Kryeministri, Zoran Zaev, kërkon më shumë solidaritet nga vendet e BE-së sa i përket vaksinës anti Kovid që Maqedonia e Veriut të mund të sigurojë dozat e para të vaksinës gjatë muajit janar. Ai kërkon që 5% e vaksinave me të cilat janë furnizuar vendet e BE-së ta ndajnë me Ballkanin perëndimor.
 
“Ajo që reagojmë për momentin është se dërgesat e para të vaksinave në vendet anëtare të BE-së kanë arritur, diku 10 mijë diku 15 mijë 7 mijë, apo 20 mijë, varësisht nga madhësia e vendeve, dhe ato kanë nisur vaksinimin e qytetarëve. Dhe derisa zgjat procesi ditët kalojnë dhe do të arrijnë edhe dërgesat e dyta, ndërsa ende nuk na kanë arritur dërgesat e para, prandaj kërkuam 5% nga ajo që e posedojnë vendet anëtare ta ndajnë me Ballkanin perëndimor.”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
 
Kryeministri po ashtu theksoi se Ministria e Shëndetësisë nga kompania “Fajzer” ka siguruar dërgesën e parë prej 5 mijë e 850 vaksinave nga gjithsej 800 mijë për sa janë dakorduar.
 
“Diçka më pak se 6 mijë vaksina janë siguruar nga “Fajzer” dhe derisa ato do të shfrytëzohen do të arrijë edhe pakoja e dytë dhe e tretë.”,- theksoi Zaev.
 
Zaev paralajmëroi edhe fushatë për vaksinim, ndërsa theksoi se edhe ai do të vaksinohet. 
 
Raporti javor i ISHP-së për Kovid 19: Ulet numri i të infektuarve dhe i të vdekurve
 
Ndërkohë, javën e fundit ka vazhduar trendi i uljes së numrit të personave të infektuar dhe të vdekur nga virusi Korona. Sipas raportit javor të Institutit të Shëndetit Publik për periudhë 28 dhjetori – 3 janar, janë testuar 10 mijë e 778 persona, ndërsa janë regjistruar 2 mijë e 329 raste të reja në 33 qytete të vendit, që është për 30.9 për qind më pak se një javë më parë. Pjesa më e madhe e rasteve të regjistruara janë regjistruar në Shkup një mijë e 86 persona apo 46.6%. Përqindja e rasteve pozitive nga numri I përgjithshëm i testuarve është 21.6 për qind që është për 4.1 për qind më pak se java e kaluar. Më e prekur është mosha mbi 60 vjet, duke regjistruar 688 persona të infektuar apo 29.5%. Të moshës 50 deri në 59 vjeç ka 440 raste ose 18.9%. Të moshës 40 deri në 49 404 raste apo 17,3%.
 
Të grupmoshës  30 deri në 39 vjeç 392 persona apo 16,8%. Të grupmoshës 20 deri më 29 vjeç janë 263 persona të infektuar apo 11,3%. Të grupmoshës 10 deri në 19 vjeç janë 104 ose 4.5% e të infektuarve. Ndërsa numri më i vogël është regjistruar te fëmijë e grupmoshës zero deri në 9 vjeç apo 38 fëmijë të prekur nga Kovid 19 që përbën 1.6%. Gjatë kësaj periudhe janë shëruar 3.884 persona dhe ka pasur 93 vdekje në 22 qytete. Sa i përket vdekshmërisë së Kovid pacientëve është shënuar ulje për 27.9 për qind në krahasim me një javë më parë. Prej tyre 77 persona kanë qenë të moshës mbi 60 vjeç, 11 persona që kanë humbur jetën ishin të grup moshës 50 deri në 59 vjeç, 4 persona të grupmoshës 40 deri në 49 vjeç,  dhe një pacient i grup moshës 30 deri 39 vjeç.
 
GYLTENE SINANI