Maqedoni

Regjistrimi i popullsisë, Jashari: Shënimi i jorezidentëve, problem në vend

05.01.2021 15:47

Regjistrimi i popullsisë duke specifikuar rezidentët dhe jorezidentët është standard europian....

Regjistrimi i popullsisë duke specifikuar rezidentët dhe jorezidentët është standard europian, për të cilin analistët e vendit japin vlerësime të ndryshme. Analisti politik, Hasan Jashari, thotë se bëhet fjalë për standard të Eurostatit që e aplikojnë shtetet anëtare të Europës por edhe ato aspirate. Mirëpo, sipas Jasharit, kjo do të ketë impakte në gëzimin e të drejtave të caktuara të komuniteteve në vend që janë të lidhura me përqindjen e tyre.
 
“Te ne është pak problem se kemi të bëjmë me situata ku ja gjuha kushtëzohet me 20%, parimi i badinterit, pra janë bërë disa gabime të cilat e politizojnë edhe vetë regjistrimin e popullsisë që është një projekt edhe një ndërmarrje statistikore, që është një ndërmarrje me rëndësi para së gjithash, e nuk ka të bëjë me çështjet e 20% dhe çështje të tjera. Mirëpo fatkeqësisht këto gjëra janë ca gabime që janë bërë më herët dhe tash e politizojnë edhe regjistrimin e popullsisë.”,- deklaroi analisti politik, Hasan Jashari.
 
Arsovski: Jorezidentët, për planifikime ekonomike
 
Ndërkohë, analisti Petar Arsovski thotë se regjistrimi nuk është vetëm politik por edhe ekonomik dhe mat numrin e qytetarëve me vendbanim të përhershëm në vend për të bërë planifikimet lokale, ekonomike dhe infrastrukturore. Sipas Arsovskit kjo s’duhet të ndikojë në kategori të tjera të të drejtave qytetare.
 
“Qytetarët të cilët nuk qëndrojnë këtu do të duhet të udhëhiqen si qytetarë jorezident jo për shkak të të drejtave tyre të tjera sikurse etnike, kolektive, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, por për zhvillim ekonomik lokal do të duhet të regjistrohen si jorezident pasi që kjo ndikon në planifikimin e resurseve të cilat do të shpenzohen në zhvillimin ekonomik lokal. Mendoj se kjo është arsyeja pse regjistrohen në kolona të ndryshme.”,- theksoi analisti politik, Petar Arsovski.
 
Regjistrimi i popullsisë pritet të realizohet në pranverë pas 18 vitesh, ndërkohë që pret miratimin e ndryshimeve ligjore në kuvend të cilat kanë kaluar vetëm filtrin e parë.
 
MERAL ISMAILI