Zaev: Shtetasit jorezidentë do të kenë të drejtë vote
Shtetasit e Maqedonisë së Veriut të cilët do të regjistrohen....

Shtetasit e Maqedonisë së Veriut të cilët do të regjistrohen si jorezidentë gjatë procesit të regjistrimit, nuk e humbin të drejtën e votës. Kështu ka deklaruar kryeministri, Zoran Zaev, duke sqarua projektligjin për regjistrimin e popullsisë, me ç’rast ai ka theksuar se këta qytetarë do të mund të votojnë në diasporë nëse janë regjistruar më parë për të ushtruar të drejtën e tyre për të votuar, apo edhe në vendlindje nëse vijnë për të votuar.
"Deri më tani, diaspora jonë kishte të drejtë të votojë, të votojë në diasporë, atje ku është, apo në shtëpi. Nëse ata ushtrojnë të drejtën e tyre dhe regjistrohen në kohë sipas Ligjit për të votuar në diasporë, atëherë ata votojnë në diasporë, nëse nuk regjistrohen, atëherë ata kanë vetëm të drejtën e parë, d.m.th. të votojnë në vendlindje. Pra, procesi i regjistrimit nuk do të ndikojë aspak në procesin zgjedhor.",- deklaroi kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev.
Për projektligjin për regjistrimin e popullsisë u diskutua edhe në takimin mes presidentit, Stevo Pendarovski, ministrit të drejtësisë, Bojan Mariçiq, dhe drejtorit të Entit Shtetëror të Statistikave, Apostoll Simovski.
Pendarovski: Regjistrimi duhet të jetë me standardet më të larta
Në takim, presidenti Pendarovski ka shprehur optimizmin që zgjidhja e re ligjore të përfshijë standardet më të larta statistikore të Eurostatit në mënyrë që të realizohet regjistrim i vlefshëm dhe i besueshëm, siç i ka hije një shteti demokratik.
Simovski: Enti, plotësisht i përgatitur për regjistrim
Ndërsa drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave, Apostoll Simovski, i ka thënë presidentit se Enti është plotësisht i përgatitur për të kryer këtë operacion statistikor në kontekstin e pjesës metodologjike dhe teknike të regjistrimit dhe shprehu pritje që ligji të sillet sa më shpejtë, me qëllim që të veprojnë në kohë dhe në mënyrë adekuate. (Sanije Duraku, TVM2)
