Maqedoni
Osmani: Presim përgjigje nga Sofja për planin aksionar
05.01.2021 16:34
Koordinimi me kryeministrin dhe të gjithë aktorët në vend që në ditët e para të vitit...

Koordinimi me kryeministrin dhe të gjithë aktorët në vend që në ditët e para të vitit, shefi i diplomacisë Bujar Osmani thotë se përcjell porosi se vendi dëshiron zgjidhje të kontestit me Bullgarinë dhe se për çështjen e BE-së nuk do të humbet asnjë ditë, pavarësisht zhgënjimeve nga rezultati i dhjetorit. Ai pret që gjatë ditëve të ardhshme Sofja të përgjigjet nëse e pranojnë planin e ri aksional për tejkalimin e dallimeve.
“Tani është koha të marrim përgjigje, sepse është fillimi i vitit dhe për këtë duhet të vërtetohen planet aksionale të ministrive të linjës dhe sa më shpejtë të vijë ajo përgjigje, e cila mund të jetë bazë për plan aksional të harmonizuar me qëllim që ministritë të fillojnë menjëherë me implementimin e asaj që është në planin aksional. Unë shpresoj se së shpejti në ditët e ardhshme do të ketë përgjigje për atë plan aksional.”,- deklaroi ministri i jashtëm i RMV-së, Bujar Osmani.
75% e ambasadorëve do të jenë profesional
Osmani njëherit paralajmëroi se numri i përgjithshëm i ambasadorëve profesional që do të përfaqësojnë vendin do të rritet. Ai nuk do të jetë më i vogël se 75% dhe jo siç ka qenë deri më tani vetëm 1/3 prej tyre, tha Osmani, i cili prezantoi kornizën e re ligjore për punë të jashtme.
“Ky ligj mundëson një diplomaci apolitike, apartiake, profesionale, e cila duhet të vihet në shërbim të krijimit të politikave të jashtme. Nuk do të mund të bie numri i ambasadorëve profesional nën 75% nga numri i përgjithshëm i atyre që do të dërgohen, që është një rritje e dukshme në krahasim me të tanishmen.”,- theksoi Osmani.
Sipas Osmanit, ligji për herë të parë do të ndajë shërbimin diplomatik nga ai administrativ.
NAIM RAMADANI
