Ferizaj, 42 të lënduar nga shpërthimi i një bombole gazi

05.01.2021 18:07

Nga shpërthimi i një bombole të gazit...

Nga shpërthimi i një bombole të gazit në një lokal në qytetin e Ferizajt në Kosovë janë lënduar 42 persona, përfshi edhe dy persona të moshës së mitur. 14 pacientë po trajtohen në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare në Prishtinë.

Doktor Agron Çitaku ka bërë të ditur se 5 nga të pranuarit janë në sallën e operacionit dhe 4 të tjerë po presin për ty hyrë në operim, kurse një është dërguar në Klinikën e Ortopedisë.

“Nga ora 15 nga njësia rajonale në Ferizaj na kanë njoftuar për një eksplodim në një lokal dhe se ka shumë të lënduar. Në QKUK deri më tani kanë arritur 14 pacientë, gjendja e tyre mund të themi se është stabile edhe pse mesatarisht e rëndë. Nga të gjitha rastet, 5 janë trajtuar në sallën operative, priten edhe katër të tjerë. Një do të shkojë në sallë të ortopedisë, pasi ka një lëndim të këmbës.”,- deklaroi Agron Çitaku nga QKUK.

Të lënduarit tjerë po trajtohen në Spitalin e Ferizajt. Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ka theksuar se pamjet pas shpërthimit të bombolës së gazit janë të tmerrshme.

Ekipet emergjente komunale, si zjarrfikësit, ekipet e emergjencës shëndetësore, policia dhe kompetentët tjerë dolën menjëherë në vendngjarje, ka thënë Aliu, i cili uroi të mos shënohet asnjë viktimë.

Nga komuna e Ferizajt bëjnë të ditur se nga 42 të lënduarit, 13 janë në gjendje më të rëndë shëndetësore. (Rejhane Bushi Metaj, TVM2)