Maqedoni

Besimtarët ortodoksë kremtojnë Buzmin, Z.Z Stefani: Është kohë sprove e besimit tek Zoti

06.01.2021 14:25

Kremtimi i Buzmit, ditës para festës së madhe të Lindjes së Krishtit...

Kremtimi i Buzmit, ditës para festës së madhe të Lindjes së Krishtit, filloi me shenjtërimin e tortës dhe degëzave të Krishtëlindjes në Katedralen "Shën Klementi i Ohrit". Lutjet dhe festimet u mbajtën me një numër të kufizuar besimtarësh ortodoksë, duke respektuar të gjitha masat mbrojtëse dhe protokollet antiCovid. Urimi kryesor është ai për shëndet.
 
"Po shkojmë drejt ditëve më të mira, vetëm pak durim të mos e prishim punën në fund që vitin tjetër të festojmë ashtu sic duhet festuar në këtë ditë të madhe"...
 
"Fat e shëndet për të gjithë"....
 
"Shëndet, lumturi e gjithë të mirat"...
 
"Të jemi të lumtur, të shëndetshëm në radhë të parë.", thanë besimtarët.
 
Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Maqedonase-Kryepeshkopata e Ohrit, Z.Z. Stefanit, në urimin e tij në prag të Krishlindjes, potencoi se pandemia vërtetoi faktin sa i pafuqishëm është njeriu, përkundër gjithë vetëbesimit të tij dhe përkundër të gjitha arritjeve. Por, sipas tij, pandemia më e frikshme sot është se njerëzit kanë harruar ta duan Zotin dhe t'i duan njerëzit. 
 
"Jetojmë në një kohë kur besimi ynë është sprovuar. Jeta po bëhet më e vështirë dhe më e pasigurt. Ka gjithnjë e më shumë tragjedi dhe vuajtje njerëzore në botë çdo ditë, një kohë kur mbretëron egoizmi, pandjeshmëria, egërsia, hipokrizia, zilia e krenaria. Një kohë kur dashuria zëvendësohet gjithnjë e më shumë nga urrejtja dhe e mira nga e keqja! Kjo për shkak se ne nuk ua bëjmë të tjerëve atë që duam të na bëjnë ata. Ne kemi harruar se pa Zotin, nuk mund të bëjmë asgjë. Pendimi dhe korrigjimi janë ilaçi më i mirë kundër të gjitha sëmundjeve të trupit dhe shpirtit. Le të jetë viti para nesh një kohë e fitores mbi të keqen dhe e armiqësive që sundojnë botën, le të jetë një kohë për frymëzim dhe përmbushje shpirtërore, një kohë kur vuajtja e sëmundjes tinëzare do të marrë fund.", tha Z.Z. Stefani, kryepeshkop i Kishës Ortodokse Maqedonase-Kryepeshkopata e Ohrit.
 
Për shkak të pandemisë, këtë vit munguan dhe procesionet tradicionale të fëmijëve që paralajmërojnë Krishlindjen.
 
MIGENA GORENCA