Vaksinat anti Covid, Italia e para në BE, Izraeli i pari në botë
Izraeli ishte në krye të tabelës s ëvendeve me më shumë vaksinime nga Covid 19...

Izraeli ishte në krye të tabelës s ëvendeve me më shumë vaksinime nga Covid 19, i ndjekur nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini, Shtetet e Bashkuara, Britania, Danimarka, Rusia, Italia, Gjermania dhe Kanada.
Me këto të dhëna, Italia bëhet vendi i tetë në botë, sipas një tabele të hartuar nga faqja e internetit “Our World” dhe e para në Bashkimin Evropian për vaksinat ndaj COVID-19, me mbi 320,000 të bëra deri më tani.
Megjithëse mban këtë vend në renditje , qeveria e kryeministrit Giuseppe Conte po përballet me kritika të forta. Menaxhimi i fushatës vaksinuese po shkakton trazira të brendshme politike. Shoqata e Mjekëve Italianë Fnomceo, është e revoltuar që 60 mijë profesionistëve mjekësorë të vendit nuk iu dha një rol më i madh në koordinimin e fushatës së vaksinimit.
Janë shtuar ankesat ndaj shpërndarjes së vaksinave të virusit korona edhe në shtetet e tjera të Europës.
Gjermania e nisi fushatën kombëtare të imunizimit më 27 dhjetor të vitit të kaluar. Më shumë se 300 mijë persona janë vaksinuar deri tani. Shumica e tyre janë banorët e shtëpive të përkujdesit dhe të moshuarit mbi 80 vjeç. Por Ministrat janë vënë nën akuzë nga një pjesë e madhe e mediave gjermane se po vonojnë së tepërmi procesin e vaksinimit për personat që janë të rrezikuar më së shumti nga virusi korona. Me gjithë vërejtjet, Gjermania ka siguruar më shumë doza në Bashkimin Europian.
Në Francë vetëm disa mijëra persona kanë marrë dozën e parë atje, krahasuar me të njëjtën periudhë kur Gjermania ka mundur të vaksinojë 300 mijë njerëz. Ministri i Shëndetësisë Olivier Veran është zotuar që të kapë ritmin e fqinjëve të tij europianë në ditët e ardhshme.
Me një vonesë prej rreth dy javësh krahasuar me fqinjët e saj europianë, Holanda ishte vendi i fundit në Europë përsa i përket nisjes së fushatës së vaksinimit. Kryeministri Mark Rutte u detyrua të pranonte se qendrat e vaksinimit nuk ishin përgatitur në mënyrën e duhur për shpërndarjen e vaksinës BioNtech-Pfizer, pasi qeveria e tij kish shpresuar që rregullatorët e BE-së të aprovonin vaksinën e shpikur nga Universiteti i Oksfordit dhe prodhuesi britanik AstraZeneca.
Si pjesë të planit të saj të vaksinimit, Polonia ka prioritet imunitetin e stafit mjekësor dhe punonjësve të shtëpive të të moshuarve. Që nga nisja e javës rreth 50 mijë njerëz nga kjo kategori kanë marrë dozën e parë të vaksinës. Pas tyre do të nisë vaksinimi i personave mbi 60 vjeç, ushtarëve, oficerëve policorë dhe mësuesve. Por qeveria u përball me kritika kur u zbulua lajmi se 18 politikanë dhe figura të shquara të jetës kulturore kishin siguruar dozat e tyre gjatë një fushate vaksinimi që u drejtua nga një prej shkollave më të mira mjekësore në Varshavë. Ministrat këmbëngulën se s’do të kishte më “kapërcim radhe”, duke kërkuar që secili duhet të ndiqte procedurën për të cilën ish rënë dakord.
Që nga shfaqja për herë të parë në qytetin Ëuhan të Kinës në dhjetor të vitit 2019, coronavirusi është përhapur në mbarë botën, duke infektuar mbi 87.541.743 njerëz dhe duke shkaktuar mbi 1.888.413 të vdekur.
Ndërkohë që numri i të shëruarve nga coronavirusi i ri (COVID-19) në mbarë botën ka tejkaluar shifrën 63 milionë.
