Liderët botërorë, të tronditur nga dhuna e ithtarëve të Trumpit

07.01.2021 16:26

Kancelarja gjermane, Angela Merkel....

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka reaguar pas trazirave në Capitol të Kongresit amerikan, duke theksuar se pamjet e tilla i shkaktuan zemërim dhe trishtim njëkohësisht. Ajo shpreh keqardhjen që Trump nuk pranoi humbjen që nga nëntori, madje nuk e bëri as dje.                                 

“Një rregull, themelore e demokracisë është që pas zgjedhjeve të ketë fitues dhe humbës. Të dy kanë rolin e tyre për të luajtur me mirësjellje dhe përgjegjësi në mënyrë që vetë demokracia të mbetet fituese. Më vjen keq shumë që presidenti Trump nuk e pranoi humbjen e tij që nga nëntori dhe gjithashtu përsëri jo dje. Dyshimet në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve u trazuan dhe krijuan atmosferën që bëri të mundur ngjarjet e natës së kaluar. Por, për mua shenjë e shpresës është se Senati e vazhdoi punën e tij natën e njëjtë dhe kemi konfirmimin për fitoren e Xho Bajdenit dhe Kamala Harrisit, ShBA-të patjetër të hapin kapitull të ri për më pak se dy javë.”,- deklaroi kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel.

Edhe presidenti francez, Emanuel Makron, reagoi ndaj trazirave, duke theksuar se beson në forcën e demokracisë.                                                       

“Franca qëndron fuqishëm dhe e vendosur me popullin amerikan, me të gjithë njerëzit që duan t’i zgjedhin liderët e tyre dhe të vendosin për fatin dhe jetën e tyre në mënyrë demokratike dhe të lirë në zgjedhje.”,- u shpreh presidenti i Francës, Emanuel Makron.

Kryeministri i Italisë theksoi se “Demokracia amerikane është rezistente, ka rrënjë të thella dhe do ta kapërcejë krizën.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg, i quajti shokuese ngjarjet në Kongresin amerikan, ndërsa apeloi në respektimin e rezultateve të zgjedhjeve demokratike në ShBA. Ngjashëm u shprehën edhe kryeministri australian dhe ai japonez. Por, Kina e shfrytëzoi mundësinë që t’i akuzojë ShBA-të dhe mediat për standarde të dyfishta.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Rusisë në reagimin e saj ka thënë se u dëshirojnë “miqve amerikanë që t’i kalojnë këto momente dramatike me historinë e tyre të dinjitetshme”.

“Sistemi elektoral i ShBA-së është arkaik, që nuk përbëhet nga standarde demokratike moderne dhe krijon mundësi për raste të dhunës. Po ashtu edhe mediat amerikane janë bërë instrument i problemeve”, citohet të ketë deklaruar zëdhënësja e ministrisë së jashtme ruse, Maria Zakharova. (Fitim Kryeziu, TVM2)