Konflikti në Ukrainë, Obama paralajmëron Rusinë

16.11.2014 16:04

Rusia do të mbetet e izoluar nëse Preasidenti Vladimir Putin vazhdon të ushqejë konfliktin në lindje të Ukrainës........

Ky ishte paralajmërimi i Presidentit amerikan Barack Obama, sot në Brisbane të Australisë, aty ku po mbahet takimi i G20.

Obama deklaroi se komuniteti ndërkombëtar duhet të tregohet shumë i vendosur mbi nevojën e respektimit të parimeve themelore.

“Një nga këto parime është se nuk mund të pushtojmë një vend tjetër apo të financojmë disa të dërguar dhe t’i mbështesim në një mënyrë që shpërbëjnë një vend që ka zhvilluar zgjedhje demokratike”, theksoi Obama.

Barack Obama i referohej marrëveshjes së armëpushimit të nënshkruar në shtator në Minsk mes Ukrainës dhe separatistëve prorusë që kontrollojnë zona në lindje të kësaj ish-republike sovjetike.

Pak para fillimit të konfliktit në këto rajone në duart e rebelëve të mbështetur ushtarakisht nga Rusia, sipas Perëndimorëve, Moska kishte aneksuar në mars gadishullin ukrainas të Krimesë, që Kievi shpreson ta rimarrë.

Por  Rusia mohon fuqishëm të jetë e pranishme ushtarakisht në Ukrainë, ndërkohë që autoritetet properëndimore në Kiev pohojnë vazhdimisht të kundërtën.