Botë
Kurti: Qeveria Hoti, e paligjshme dhe jokushtetuese; Von Cramon: Nga zgjedhjet duhet të dalë qeveri jetë gjate
07.01.2021 18:29
Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka reaguar pas publikimit të vendimit të plotë të Kushtetueses...

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka reaguar pas publikimit të vendimit të plotë të Kushtetueses që rrëzon qeverinë Hoti dhe e çon vendin në zgjedhje. Kurti me anë të një postimi në Facebook ka thënë se kjo që ka ndodhur ditët e fundit është ditur që nga fillimi. Qeverinë Hoti ai e ka quajtur “kot”, të paligjshme e jokushtetuese.
“Pas shtatë muajve na u dëshmua ajo që dihej nga fillimi. Zgjedhja e qeverisë koti ka qenë kot. Zgjedhje e paligjshme, jokushtetuese. Kemi humbur shumë vite, jo vetëm muaj. Këto zgjedhje nuk janë të parakohshme por të vonuara. Mirëpo, këto zgjedhje janë referendum. Me 14 shkurt politika e keqe ndodhet para gjyqit popullor. Punë e arsim, drejtësi e shëndetësi. Kaq duan qytetarët. Qeveria jonë e re do të jetë shërbim i mirë. Sepse qytetari është mbreti i republikës. Me 14 shkurt, festën e zemrës e bëjmë edhe kremte të demokracisë”.
Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovë, Viola von Cramon, ka thënë se për shkak të shqetësimeve politike të vazhdueshme që lidhen me pandeminë dhe zgjedhjet e parakohshme, Kosova po përballet me një fazë të jostabilitetit ekonomik e politik. E që, sipas saj, në një të ardhme të afërt, vendi duhet të përpiqet për të kundërtën e asaj që po ndodh.
“Sfidat ekonomike që presin para do të kërkojnë gatishmërinë e të gjitha forcave politike për kompromise që të alokohen fonde dhe të sjellin të gjitha investimet për të modernizuar vendin. Për këtë arsye, nevoja për një luftë të pakompromis kundër korrupsionit, nepotizmit dhe kapjes së shtetit, është ndër prioritetet më të larta”.
Kosova gjendet në hapat përgatitorë për zgjedhjet e parakohshme, të cilat vijnë pas vendimit të Gjykatës Kushtetueses për rrëzimin e Qeverisë, pasi vlerësoi antikushtetuese votën e deputetit Etem Arifi. Sipas Von Cramonit, do të shihet se çfarë pasoja politike do të sjellë ky vendim.
Madje, ajo ka ngritur dyshimet se çfarë do të ndodhë gjithashtu edhe me Marrëveshjen e Washingtonit mes Kosovës e Serbisë, që u arrit gjatë Qeverisë Hoti dhe e cila u prezantua si listë zotimesh mes dyja vendeve. Por, megjithatë, Von Cramon thekson se si për BE-në e po ashtu edhe SHBA-në është e rëndësishme që në Kosovë të kenë partnerë të besueshëm.
“Për BE-në ashtu si edhe për Administratën e ShBA-së do të jetë shumë e rëndësishme të gjejnë partnerë politikë të besueshëm në Prishtinë. Ky është faktor kyç për hapat e tjerë drejt integrimit të Kosovës në BE”.
GYLTENE SINANI
