Botë

Kovid-19, Kluge: Situata me variantin e ri, alarmante

07.01.2021 20:46

Vendet e Bashkimin Europian, prej disa ditësh kanë filluar vaksinimin kundër Covid-19...

Vendet e Bashkimin Europian, prej disa ditësh kanë filluar vaksinimin kundër Covid-19, vendet e Ballkanit perëndimor përveç Serbisë ende janë në pritje të sasisë së pare të vaksinave.
 
Komisioni Europian së fundmi ka miratuar një paketë prej 70 milion eurosh për të ndihmuar vendet ballkanike që të sigurojnë vaksinat , por vendet ballkanike janë në pritje të dërgesës së pare të vaksinave. Italia është e para në Bashkimin Evropian për vaksinat ndaj COVID-19, me mbi 320 mijë persona, ndërsa vendi i tetë në botë, sipas një tabele të hartuar nga faqja e internetit “Our World”.
 
Izraeli ishte në krye të tabelës,  e pasuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini, Shtetet e Bashkuara, Britania, Danimarka, Rusia, Italia, Gjermania dhe Kanada. Ndërkohë drejtori për Evropë i OBSH-së, Hans Kluge, ka deklaruar se situata me variantin e ri të virusit është alarmante.
 
Edhe pse viruset ndryshojnë vazhdimisht, varianti i ri i koronavirusit nuk shkakton simptoma më të rënduara, por përhapet më shpejt, që sipas OBSH-së përbën një shqetësim të madh.
 
“Kjo është situatë alarmante, që do të thotë se për një periudhë të shkurtër kohore ne duhet të bëjmë më shumë dhe duhet të intensifikojmë masat shëndetësore publike dhe ato sociale, që të sigurohemi që të rrafshojmë kurbën në disa shtete” tha Kluge, duke iu referuar variantit të ri të virusit, që fillimisht u identifikua nga Mbretërinë e Bashkuar.
 
Masat që propozua Kluge tashmë janë të njohura, siç është mbajtja e maskave, kufizimi i tubimeve shoqërore, mbajtja e distancës fizike si dhe larja e duarve. Por, ai tha se këto masa duhet të intensifikohen.
 
Që nga fillimi i pandemisë numri i të infektuarve në mbar botën arrin në mbi 87 milion e 541 mijë persona me mbi një milion e 888 mijë e 413 të vdekur. Deri tani janë shëruar mbi 63 milionë njerëz. 
 
GYLTENE SINANI