Botë

OBSH i kërkon europës masa më të ashpra, shifrat Covid po rriten në të gjithë botën

08.01.2021 12:12

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë raportuar 132 370 shtrime me Covid-19 në spital të enjten....

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë raportuar 132 370 shtrime me Covid-19 në spital të enjten. Ky është numri i dytë më i lartë i shtrimeve në spital, i raportuar në një ditë të vetme Po kështu edhe një numër rekord prej 4 mijë viktimash u regjistrua në 24 orët e fundit bashkë me 265 mijë raste të reja të infektimit.

Një tjetër shifër alarmante viktimash vjen ga Britania e madhe ku sërish u regjistruan mbi 1 mijë të vdekur në një ditë që e rriti në mbi 78,000 numrin e viktimave që nga filimi i Pandemisë. Londra rrezikon të mos ketë më krevate të lira në dy javët e ardhshme. Vendi është që nga e marta në izolim total. Autoritetet mendojnë për hapjen e kapaciteteve të reja spitalore. 2 klubet më të mëdha të futbollit kanë vënë në dispozicion stadiumet e tyre për procesin e vaksinimit masiv.
 
Kina ka vendosur 11 milionë njerëz të qytetit verior të Shijiazhuang nën bllokim pasi më shumë se 100 raste të reja me COVID-19 u konfirmuan. Banorët janë të ndaluar të largohen nga qyteti dhe shkollat gjithashtu janë mbyllur. 5000 njësi testimi janë ngritur në mënyrë që çdo banor të mund të testohet. Shifrat e janë më të lartat që Kina ka parë në më shumë se pesë muaj. Ndalimi vjen vetëm disa javë para Vitit të Ri Kinez.
 
Organizata Botërore e Shëndetësisë ndërkohë u bëri thirrje vendeve europiane të bëjnë më shumë për të frenuar variantin e ri të virusit korona. Në Europë, vendet me numrin më të madh të të infektuarve janë: Mbretëria e Bashkuar me 2.8 milionë, Franca me 2.7 milionë dhe Italia me 2.2 milionë. Sipas OBSH-së, mbi 230 milionë njerëz në Evropë janë duke jetuar në vende që janë nën izolim të plotë kombëtar.
 
BE ka siguruar 300 milion doza shtesë të vaksinës Pfizer / Biontec. 75 milion doza të vaksinave do të shpërndahen në tremujorin e dytë të 2021, dhe pjesa tjetër deri në fund të vitit. "Kohët e fundit kemi aprovuar vaksinën e Moderna. Me dy vaksina të autorizuara, kemi mjaft për 380 milion qytetarë, që është 80 përqind e popullsisë,"  tha Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen. Me marrëveshjet e bëra me gjashtë kompani farmaceutike, BE aktualisht ka porositur 2.3 miliardë doza të vaksinës dhe kjo është e mjaftueshme për Bashkimin, por jo për fqinjët e saj.
 
Programi COVAX i OBSH-së ndërkohë  do të nisë shpërndarjen e vaksinave kundër koronavirusit gjatë këtij muaji. Aktualisht kemi mbi dy milionë doza të vaksinës. Shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Kosovën, janë pjesë e COVAX-it dhe presin që të marrin vaksina. Rastet e korona virusit globalisht kanë kaluar mbi 88 milionë, me një rritje prej tre milionë infeksionesh në vetëm katër ditë. Sipas Universitetit Johns Hopkins infeksionet në botë aktualisht janë 88 042762, duke përfshirë 1 898 530 vdekje.
 
GAZMEND KURTISHI