Surpriza ne ndeshjet e mbrëmshme kualifikuese EURO 2016

16.11.2014 17:57

Në grupin E, përballja mes Anglisë dhe Sllovenisë në “Wembley” u zhbllokua në pjesën e dytë, teksa të besuarit e Roy Hodgson u gjendën në disavantazh papritmas, por e përmbysën rezultatin në 3-1, duke marrë fitoren e 4 në po kaq ndeshje.......

Spanja, nga ana tjetër, do të shkojë në miqësoren ndaj kampionëve të botës, Gjermanisë, pas një fitoreje rutinë 3-0 ndaj Bjellorusisë, në grupin C, një rezultat që i siguron “mbretërve” në fuqi të Europës 9 pikë nga 12 të mundshme. 

Ndërkohë, pasi Ishujt Faroi siguruan një fitore historike 1-0 ndaj Greqisë, të premten, San Marino dhe Lihtenshtejni siguruan rezultate historike për ta gjithashtu.

San Marino, e renditur e 208-a (në dy vendet e fundit së bashku me Bhutanin) i dhanë fund ecurisë prej 61 humbjesh radhazi, duke ndalur Estoninë në barazim 0-0, në ndeshjen e luajtur në San Marino e të vlefshme për grupin E.

Ndërsa Lihtenshtejni arriti të merrte edhe më suhmë, pasi goli në pjesën e dytë nga kapiteni Franz Burgmeier i dha të tijve fitoren 1-0 ndaj Moldavisë në grupin G. 

Ndryshe nga këto dy suksese, kombi më i madh i Europës, Rusia, u mposht 1-0 nga Austria në të njëjtin grup (G) duke shtuar presionin ndaj trajnerit Fabio Capello.  Kjo humbje e Rusisë vjen pas barazimit me Moldavinë.

Austria është 4 pikë larg Suedisë, që në ndeshjen e saj me Malin e Zi nuk mundi të shkonte më shumë se barazimi 1-1.

Në fund, në grupin E, Zvicra mposhti 4-0 Lituaninë në një ndeshje ku rezultati nuk paraqet vështirësitë e hasura prej zviceranëve edhe për shkak të reshjeve të shiut, pasi të katër golat u shënuan në pjesën e dytë. Pas golit të parë, lituanezët thuajse u shpërfytyruan dhe ndër golashënuesit ishte edhe Xherdan Shaqiri me “dopietë”.