Projektet e Ministrisë së Transportit, Rexhepi: Rreth 86 mln euro për investime këtë vit
Ministria e Transportit dhe Lidhjeve ka në dispozicion rreth 86 milion euro....

Ministria e Transportit dhe Lidhjeve ka në dispozicion rreth 86 milion euro për investime këtë vit, prej të cilave diku rreth 70 milion euro u dedikohen investimeve kapitale, siç është gazifikimi, projektet kapitale për ndërtimin e rrugëve magjistrale dhe lokale dhe planet tjera urbanistike.
Zëvendësministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bekim Rexhepi, për “Intervistën e Javës” në TVM-2 potencon se një ndër projektet kryesore është dhe ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë. Në terren po punohet në hapjen e trasesë nga të dyja anët për ndërtim të dy kilometrave të para nga gjithsej 14 kilometrat sa është kjo pjesë. Vlera e investimit është rreth 110 milion euro, e njëjta do të realizohet në dy faza, ndërsa projeksionet janë që kjo autostradë të ndërtohet maksimum për katër vite.
“Ky projekt është dhënë në dy pjesë për shkak të disa kushteve të Bankës Europiane për Zhvillim, që sa më efektive të jenë punimet dhe ndërtimet e kësaj rruge. Sa i takon pjesës tjetër, ka qenë problematike definimi i trasesë, deri në këto momente kjo çështje është mënjanuar, veç më është definuar traseja përfundimtare që duhet ndërtuar edhe në 10 kilometrat e tjera dhe po bëhet përcaktimi gjeodezik dhe hulumtimet gjeomekanike...”,- deklaroi zëvendësministri i transportit dhe lidhjeve, Bekim Rexhepi.
Me sukses, sipas Rexhepit, po përmbyllen edhe projektet e tjera infrastrukturore që lidhin vendin me rajonin dhe Europën. Korridori 10 është drejt finalizimit, ndërsa në korridorin 8 po punohet me dinamikë të përshpejtuar, thotë Rexhepi.
Sipas tij, në total deri në këto momente janë ndërtuar dhe rikonstruuar rreth 400 kilometra rrugë magjistrale dhe lokale.
“Me rëndësi të veçantë për korridorin 8 është edhe rruga Kërçovë-Ohër në të cilën bëhen punime me dinamikë të përshpejtuar, pothuajse 6 herë më shumë është përshpejtuar puna e punimeve të këtij projekti. Për një pjesë të rrugës është bërë riprojektim i projektit, pasi që kishim edhe një pengesë dhe tashmë traseja është çarë gati 95% dhe ne atje jemi në momentin ku punohet me një dinamikë të përshpejtuar.”,- theksoi zëvendësministri i transportit dhe lidhjeve, Bekim Rexhepi.
Përveç kësaj, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve së bashku me Shoqërinë Aksionare për ekonomizim me hapësirat afariste në pronësi shtetërore, ka arritur të ndërtojë rreth 576 banesa sociale për familjet me rrezik social.
“Kemi bërë banesa sociale në Çair, në qytetin e Gostivarit gati janë, Demir Kapi, potencova më herët në komunën e Butelit dhe në disa vende tjera. Por, duhet theksuar se planifikohet edhe gjatë vitit 2021 të vazhdojë ky trend që të ndërtohen banesa tjera sociale në komunën e Sarajit dhe në komunën e Dibrës.”,- u shpreh Rexhepi.
Pritjet janë që një pjesë e banesave sociale të jepen gjatë këtij viti përmes shpërndarjes elektronike në përputhje me Metodologjinë për vlerësimin e kandidatëve për marrjen e banesave sociale. (Rexhep Qamili, TVM2)
