Bosnjë, bora bllokoi refugjatët në Bosnjë

09.01.2021 17:26

Qindra refugjatë nga Pakistani dhe Afganistani....

Qindra refugjatë nga Pakistani dhe Afganistani, kanë mbetur jashtë pasi kampi i tyre në Lipa të Bosnjës u dogj. Dëbora që ra të premten ka vështirësuar më shumë jetesën, ndërkohë autoritetet vendore po refuzojnë të hapin një qendër pritëse.

Bora që ra të premten i vështirësoi kushtet për qindra refugjatë që kanë mbetur në Bosnjë të pastrehë pasi kampi ku qëndronin u dogj rreth dy javë më parë. Temperaturat shkuan nën zero dhe e gjitha zona ku ngrihej kampi Lipa u mbulua nga dëbora. Mbi 1300 refugjatë, shumica nga Pakistani dhe Afganistani, jetonin në kampin e vendosur pranë kufirit me Kroacinë në përpjekje për të kaluar në Bashkimin Europian.

Qindra njerëz janë të detyruar të flenë në pyll në pritje të strehimit, ndërsa presin në rreth 20 çadra të ngritura nga ushtria boshnjake.

IOM u tërhoq për shkak të kushteve të vështira në të cilat jetonin refugjatët dhe u bëri thirrje autoriteteve që të rihapin një qendër pritjeje në një fabrikë të braktisur, e cila u mbyll në tetor pas presionit të banorëve.

Agjencia e BE-së për mbrojtjen e kufirit Frontex tha të premten se numri i imigrantëve që përdorin rrugën e Ballkanit Perëndimor për të kaluar drejt Europës Perëndimore u rrit vitin e kaluar me 75 për qind.