Zgjedhja e anëtarëve të rinj në KShZ, akoma nuk zbulohen emrat e të gjitha partive
Ndonëse është mbyllur afati i konkursit për përbërjen re të KShZ-së....

Ndonëse është mbyllur afati i konkursit për përbërjen re të KShZ-së dhe gjatë javës së ardhshme, pritet që Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime pranë Kuvendit të përcaktojë listën e propozuar të kandidatëve dhe zgjedhjen e tyre zyrtare ta bëjë Kuvendi, akoma mbeten të panjohur shumica e emrave që do të propozohen nga partitë politike.
Nga Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa thonë se ende nuk kanë diskutuar për emrin që do të propozojnë, teksa VMRO DPMNE konfirmoi se propozimi i tyre për kryetar të KShZ-së është Aleksandar Dashtevski, i cili më herët në këtë trupë ka qenë i deleguar VMRO-Popullore ndërsa në kohën e Nikolla Gruevskit u bë anëtar i VMRO-DPMNE-së.
“Në KShZ, ASh-AAA sigurisht se do të kenë përfaqësuesin e tyre si parti e vetme opozitare, mirëpo për momentin ende nuk janë diskutuar. Nuk është diskutuar çështja, qoftë me partitë politike, qoftë për emrin i cili do të përfaqësoje Aleancën për Shqiptarët dhe Alternativën.”,- deklaroi Bujare Abazi nga ASH-AAA.
“Po, mund të them se me vendimin e fundit të Komitetit ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, profesori Aleksandër Dashtevski e mori mbështetjen për kryetar të ri të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.”,- u shpreh zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoillkovski.
Ndërkohë kryetari i Komisionit Parlamentar për Zgjedhje dhe Emërime, Kostadin Kostadinov, nuk ka zbuluar emrat e kandidatëve, thotë se në këtë fazë është heret për të komentuar.
BDI, parti të cilës në KShZ i takon posti i nënkryetarit, jozyrtarisht merret vesh se do të mbështes edhe për një tjetër mandat anëtaren që deri tani i ka përfaqësuar, Ditmire Shehun. (Naim Ramadani, TVM2)
