Greqi, procedohet projektligji për kufirin detar
Qeveria greke ka paraqitur një projektligj...

Qeveria greke ka paraqitur një projektligj në parlament për të zgjeruar kufirin e ujërave të saj territoriale në Detin Jon në 12 milje detare, pas negociatave me Shqipërinë dhe Italinë.
Sipas projektligjit, kufiri detar do të zgjatet nga gjashtë milje detare në 12 milje. Kjo nuk do të prekë ujërat në Egje, pranë brigjeve jugore dhe lindore të Greqisë, pasi Athina ka mosmarrëveshje me aleatin e saj të NATO-s Turqinë për kufijtë detarë. Greqia dhe Italia kanë nënshkruar tashmë një marrëveshje mbi kufijtë detarë që krijojnë një zonë ekonomike ekskluzive në Detin Jon, ndërsa Athina dhe Tirana ende nuk kanë rënë dakord për të gjitha detajet e kufirit të tyre detar dhe e kanë referuar çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Në projektligj, i cili pritet të votohet më vonë këtë muaj, Greqia thotë se sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara 1982 mbi Ligjin e Detit ajo mban të drejtën për të ushtruar të drejtat e saj në pjesë të tjera të territorit të saj.
Në lindje të Greqisë, Turqia ka paralajmëruar se një veprim i ngjashëm nga Athina do të ishte një "shkak për luftë".
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, të premten u takua me homologun e tij shqiptar, Edi Rama në Athinë por nuk u dhanë detaje nëse është prekur edhe çështja e kufirit detar.
