Shqipëri, reshjet shkaktuan vërshime
Shqipëria vijon të jetë nën pushtetin e ujit...

Shqipëria vijon të jetë nën pushtetin e ujit, si pasojë e reshjeve intensive të shiut. Më problematike aktualisht është situata në Lezhë, ku pasditen e kësaj të shtune janë evakuuar nga banesat e tyre 27 familje. Nga të dhënat e fundit në qarkun e Lezhës janë 2500 ha sipërfaqe toke me prezencë uji në bashkinë Lezhë dhe 300 ha në bashkinë Kurbin. Përmirësim ka situata në lumin Drin, ku ka një rënie të nivelit në rreth 50 cm nga pika.
Në Bashkinë Kurbin si pasojë të shkarkimeve nga hidrocentralit të Shkopetit rrezikohet dalja e ujit nga argjinatura dhe për pasojë rrezikohen edhe 13 familje të zonës.
Në Lezhë, aksi që lidh Njësinë Administrative të Ungrenjit me Lezhës është i pakalueshëm si pasojë e çarjes së rrugës.
Edhe fshati Obot në Shkodër, u bllokua tërësisht duke vështirësuar edhe lëvizjen e banorëve. Deri më tani nuk raportohet për shtëpi të përmbytura, ndonëse ka prezencë uji.
Për situatën e krijuar, në Shkodër dhe në Lezhë u desh ndërhyrja e ushtrisë. Ekuipazhi i shpëtimit bëri të mundur evakuimin e banorëve që rrezikonin përmbytjen si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Drin dhe hapjes së portave të HEC-it në Vaun e Dejës. Ndërsa në Fier e Vlorë situata nuk u agravua.
Lumi Vjosë arriti në kapacitetet e tij gjatë mesditës së djeshme, por fatmirësisht nuk ka shkaktuar probleme tek banorët e zonës.
Në Gjirokastër, liqeni i Viroit doli nga shtrati dhe për pasoje pati vështirësi në qarkullim në aksin Gjirokastër-Tepelenë, por pa sjellë mbylljen e tij. Ne Dropull dhe Dervican janë përmbytur toka bujqësore Ndonëse reshjet përgjatë të premtes kanë qenë intensive, gjatë natës pati një lehtësim të situatës, çka çoi që niveli i ujit në lumin Vjosë të shënonte rënie. (Luljeta Ndoka, TVM2)
