Maqedoni

Reshjet e shiut, rritet niveli i lumenjve në vend

11.01.2021 14:31

Reshjet intensive të shiut të ditëve të fundit kanë rritur nivelin e lumenjve në vend...

Reshjet intensive të shiut të ditëve të fundit kanë rritur nivelin e lumenjve në vend, madje në disa lumenj është regjistruar nivel gjashtë herë mbi mesataren e zakonshme gjatë muajit të janarit. Sipas matjeve të Institutit Hidrometeorologjik në vend, më shumë ujë është regjistruar në lumin Vardar, Treskë, Lepenec, Pçinja, Babuna, Bregalnicë, Strumicë, Crna dhe Sateska. Asnjë nga lumenjtë nuk është nën mesataren, ndryshe nga liqenet, gjendja e të cilave ka ndryshuar pak. Liqeni i Ohrit dhe Prespës mbetet ende nën vlerat mesatare. Në njoftimin e Instituti Hidrometeorologjik paralajmëruan për lëvizje të kujdesshme përgjatë rrjedhave ujore si dhe grykave për shkak të mundësisë për vërshime si dhe rrëshqitje të dheut. 
 
“Në të gjitha stacionet hidrologjike të rrjetit kombëtar hidrologjik ka rritje të niveleve të ujit, rritje të nivelit të ujit ka pranë Vardarit – rrjedha e sipërme, ku në Jegunovcë në krahasim me të dhënat e djeshme regjistrojmë një rritje prej 114 centimetrave, në Lepenec afër Shkupit 45 centimetra, në Vardar në Shkup 45 centimetra, Treska në Makedonski Brod është rritu për 87 centimetra, Crna në Novaci 100 centimetra, Radika në Boskov Most, 66 centimetra”,- thonë nga ky institut, ndërsa shtojnë se në liqenet, krahasuar me të hënën e kaluar, po shohim rritje, në Ohër me nëntë centimetra, në Prespë me katër dhe në Dojran me një centimetër.
 
Gostivar, reshjet turbulluan sistemin e ujit për pije
 
Reshjet e mëdha të shiut sollën problem edhe për banorët e Gostivarit. Reshjet e shiu kanë grumbulluar ujin në sistemin e furnizimit me ujë të kësaj komune. Në kumtesën e NPK “Komunalec” theksojnë se uji në rrjetin e ujësjellësit të Gostivarit është i ndotur dhe nuk guxon të përdoret për pije. Ndalesa për përdorim е ujit për pije, do të vlejë deri në njoftimin e radhës. Komuna e Gostivarit kërkon mirëkuptim nga qytetarët.


ZEKIRJA MEXHITI