Botë
Covid-19, Merkel: Javët e ardhshme të vështira për Evropën
11.01.2021 14:58
Gjermania kaloi numrin prej 40,000 vdekjet nga virusi Korona që nga fillimi i pandemisë.....

Gjermania kaloi numrin prej 40,000 vdekjet nga virusi Korona që nga fillimi i pandemisë. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka deklaruar se javët e ardhshme gjendja për Evropën do të jetë edhe më e vështirë.
“Është fillimi i vitit me ndjenja të përziera. Ekziston shpresa që ne shoqërojmë me këtë vit të ri, shpresa e justifikuar që hap pas hapi do të marrim nën kontroll koronavirusin dhe do të marrim përsëri lirinë tonë. Ekziston kjo valë e dytë e rrezikshme e pandemisë në të cilën ndodhet vendi ynë, si shumë vende europiane. Këto javë të dimrit do të jenë ndoshta faza më e vështirë e pandemisë.”,- theksoi kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Covid-19, masa shtrënguese në Suedi dhe Francë
Suedia, e cila i ka rezistuar masave të bllokimit duke u mbështetur më së shumti në publik pas rekomandimeve zyrtare shëndetësore, po lufton gjithashtu me një valë të dytë. Tani ka miratuar një ligj emergjence që lejon qeverinë të kufizojë numrin e njerëzve në dyqane, biznese dhe vende publike dhe është në gjendje të gjobisë shkelësit.
Në Francë 25 departamente janë nën një shtetrrethim, nga ora 16 deri në orë 6 të mëngjesit dhe së shpejti pritet të shtohen zonat në shtetrrethim pasi janë konfirmuar gati 16,000 infeksione të reja. Ndërkohë Anglia ka paralajmëruar se do të shtojë ndjeshëm ritmet e vaksinimit ndaj COVID-19 këtë javë. 7 qendra të mëdha do të hapen këtë javë në gjithë vendin që do të mundësojë vaksinimin e mijëra qytetarëve.
Mbretëria e Bashkuar ka mbledhur një miliard dollarë nga aleatët e saj për të ndihmuar “vendet e pambrojtura” të sigurojnë hyrjen në vaksinën COVID-19. Autoritetet e shëndetësisë në Kinë, kanë raportuar një shpërthim të rasteve me virusin korona në provincën e Hebeit, afër kryeqytetit Pekin. Në Kinë aktualisht numri i infektimeve te raportuara nga koronavirusi është 87,536, ndërkohë numri i viktimave ka shkuar 4,634 në të gjithë vendin që nga fillimi i pandemisë.
OBSh: Ekspertët të enjten vizitojnë Kinën
Ndërkohë, dhjetë shkencëtarë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë do të vizitojnë Kinën të enjten, për të hetuar origjinën e virusit Korona, i cili ka shkaktuar rreth 2 milion viktima që nga fillimi i pandemisë. Organizata Botërore e Shëndetësisë “do të kryejë hetim të përbashkët për origjinën e koronavirusit, bashkë me shkencëtarët kinezë”, ka thënë Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë.
REJHANE BUSHI METAJ
