Botë

Reshjet në rajon, vërshime në Kosovë dhe Shqipëri

11.01.2021 15:30

Reshjet e mëdha të shiut kanë shkaktuar përmbytje në disa komuna të Kosovës...

Reshjet e mëdha të shiut kanë shkaktuar përmbytje në disa komuna të Kosovës, ku për pasojë është pamundësuar lëvizja e qytetarëve. Në komunën e Fushë-Kosovës një lagje e tërë është bllokuar si pasojë e reshjeve të shiut. FSK ka dërguar një njësi në këtë zonë për të evakuuar njerëzit e bllokuar nëpër shtëpi dhe ndërtesa banimi. Në këtë pjesë njerëzit po evakuohen me barka. Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka deklaruar se do të evidentohen dëmet që janë shkaktuar nga vërshimet, në mënyrë që të kompensohen qytetarët.
 
"Po mundohemi të marrim masat e nevojshme për të shpëtuar së pari jetën e qytetarëve, për t’i evituar dëmet madhore në infrastrukturë, në mënyrë që të mos mbesin lokacionet e bllokuara për qarkullim normal. Përmes shtabeve lokale, do të evidentojmë së shpejti dëmet që janë bërë edhe në pronën publike dhe private. Dëmet që janë bërë në prona private do t’i shohim maksimalisht, në përputhje me kapacitetet që kemi, edhe komisionet përkatëse, që të kompensojnë, në veçanti ato familje që janë në kushte pak më të vështira të jetesës.",- deklaroi kryeministri i Kosovës, Avdulla Hoti.
 
Me vështirësi po përballen edhe komuna e Suharekës, Ferizajt, Lipjanit, Drenasit, Malishevës, Klinës, Podujevës, Hanit të Elezit dhe komuna tjera. Gjendja është më e vështirë, sidomos në komunat ku lumenjtë kanë dalë nga shtrati. Edhe në veriu i Shqipërisë ndodhet nën ujë. Në Lezhë janë të përmbytura 3 mijë e 800 hektarë tokë teksa problematika kryesore në këtë qark është edhe rrëshqitja e dheut, që ka bërë të evakuohen disa familje. Nga komuna e Shkodrës raportohet për një mijë e 823 hektarë tokë të përmbytura. Ndërsa niveli i ujit ka bllokuar disa akse rrugore.
 
Problematikë mbeten rrjedha e lumit Drin dhe Kir, të cilët në disa vende po gërryejnë tokat bujqësore, e po ashtu liqeni i Shkodrës i cili ka rritje të nivelit të ujit. Probleme ka pasur edhe në Divjakë, ku janë përmbytur 50 ha tokë. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve që jetojnë përgjatë brigjeve të lumit Shkumbin, të largohen pasi prurjet e ujit janë të mëdha. Ndërkohë, në Durrës situata është përmirësuar ndjeshëm. Sipas Shtabit të Emergjencave, në Sukth janë nën ujë rreth 70 hektarë tokë bujqësore nga 250 që ishin një ditë më parë.
 
GYLTENE SINANI