Maqedoni
Kuvend, Naser Ziberi propozohet për Avokat Populli
11.01.2021 16:48
Me 7 vota “për”, asnjë “kundër” dhe asnjë të “përmbajtur”, Komisioni për Çështje dhe Emërime pranë Kuvendit...

Me 7 vota “për”, asnjë “kundër” dhe asnjë të “përmbajtur”, Komisioni për Çështje dhe Emërime pranë Kuvendit mbështeti kandidaturën e Naser Zyberit për Avokat Populli. Zyberi në këtë post u propozua nga deputetja e BDI-së, Arta Bilalli-Zendeli, sipas të cilës ai është i denjë për ta ushtruar këtë detyrë.
“Sa i përket listës së kandidatëve të paraqitur për Avokat Populli, me gjithë respektin për punën e të gjithë kandidatëve të paraqitur, propozimi është për Avokat të Popullit ta konsiderojmë apo ta marrim parasysh propozoj faktikisht kandidaturën e Naser Zyberit duke pasur parasysh përvojën e deritanishme të tij dhe autoritetit që gëzon për ta ushtruar një detyrë siç është detyra e Avokatit të Popullit.”,- deklaroi Arta Bilalli-Zendeli nga BDI.
Syrija Rashidi nga Aleanca për Shqiptarët kërkoi që të pezullohet procedura për zgjedhjen e Avokatit të Popullit dhe të diskutohet për një kandidat tjetër, i cili do të propozohej nga partitë shqiptare në opozitë. Sipas tij, Ziberit iu premtua ky funksion para zgjedhjeve, kur ai u kandidua për kryeministër nga BDI.
“Kjo çështje kërkon një debat më të gjerë mes forcave politike dhe po ashtu kërkoj që ky proces të ndërpritet, të hapet si debat po të jetë e mundshme edhe konkursi të anulohet në mënyrë që të arrijmë te një figurë që vërtetë të ketë kredibilitetin të mbrojë qytetarin kur i shkelet e drejta nga pushteti, dhe e drejtë do të kishte qenë që një kandidat të tillë ta propozojë opozita shqiptare.”,- theksoi Syrija Rashidi nga ASh.
Miratohet lista e kandidatëve për KShZ-në
Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime pa debat midis forcave politike miratoi edhe listën e kandidatëve të propozuar për kryetar, nënkryetar dhe anëtarë të KShZ-së. Shpallja për anëtarë të KShZ-së ka përfunduar, ndërsa Komisioni ka marrë aplikime nga gjithsej 14 kandidatë.
Sipas procedurës, Komisioni e konfirmon listën e kandidatëve dhe e dërgon tek kryetari, Talat Xhaferi, i cili po ashtu në afat prej tre ditëve duhet tua dërgon partive të cilat duhet të sqarohen nëse i mbështesin të njëjtit. Kjo listë rikthehet përsëri tek komisioni i cili e konfirmon dhe më pas dorëzohet për votim.
Mandati i përbërjes aktuale të KShZ-së përfundon më 15 janar. Deri më tani, vetëm VMRO-DPMNE ka konfirmuar mbështetjen e saj për Aleksandar Dashtevskin për kryetar të KShZ-së.
NAIM RAMADANI
