Maqedoni
Tetovë, Shkumbini vërshoi tokat bujqësore
11.01.2021 18:16
Reshjet e fundit të shiut kanë bërë që lumi Shkumbin të dalë nga shtrati dhe të vërshojë fushave...

Reshjet e fundit të shiut kanë bërë që lumi Shkumbin të dalë nga shtrati dhe të vërshojë fushave duke shkatërruar të mbjella bujqësore. Bujqit ankohen se mospastrimi i shtratit të lumit Shkumbin ka bërë që i njëjtit të dalë dhe të bëjë dëme të konsiderueshme bujqësore.
Ata kërkojnë nga institucionet që sa më shpejtë të gjendet një zgjidhje, pasi edhe vitet e kaluar i njëjti ka bërë dëme nëpër fusha.
“Është futur në fushë, uji ka vërshuar gjithë fushën. Kam dëme, është mbushur me baltë e rërë. Fushën e kam pasur me qira, por gjithçka është vërshuar. Askush nuk ka ardhur dhe asnjë ndihmë nuk kemi.”,- theksoi një bujk.
Nga komuna e Tetovës thonë se janë në teren dhe po punojnë për sanimin e dëmeve që janë shkaktuar.
“Për shkak se kishim të reshura të mëdha të shiut në rajonin e Pollogut, uji kishte dalë nga shtrati i lumenjve në disa lokacione në Tetovë edhe atë në lumin Poroj, Reçicë dhe fshatin Falishtë. Nga orët e para të mëngjesit, ekipet e Ndërmarrjes komunale dhe të zjarrfikësit në Tetovë janë duke i sanuar dëmet që janë bërë në terren dhe janë duke larguar ujin me makineritë e këtyre sektorëve, duke u munduar të riparojnë dëmet e bëra.”,- theksoi zëdhënësja e komunës së Tetovës, Snexhana Novakovska.
Rrëshqitje të dheut si pasojë e reshjeve të shiut dhe të dëborës ditëve të fundit ka pasur edhe në fshatin Bozofcë të Tetovës. Banorët e këtij fshati çdo herë e kanë ngritur si brengë këtë problematikë, po deri më tani asnjë institucion nuk është marrë, edhe pse ky vend rrezikon që të vërshojë më shumë se 70% të fshatin.
VISAR SADIKI
