Maqedoni

Kuvend, zgjidhet përbërja e re e KShZ-së, Rexhepi: Duam KShZ profesionistësh apartiak

12.01.2021 15:52

Kuvendi zgjodhi përbërjen e re të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve...

Me 95 vota pro dhe asnjë kundër, deputetët përkrahën propozim vendimin e Komisionit për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve për zgjedhjen e kryetarit, nënkryetarit dhe anëtarëve të KSHZ-së.
 
Kryetar i ri këtij Komisioni do të jetë juristi Aleksandar Dashtevski ndërsa nënkryetare do të jetë nënkryetarja e deritanishme, juristja nga Gostivari, Ditmire Shehu. Borsi Kondarko, Oliver Ristovski, Radica Risteska, Boban Stojanoski dhe Krenar Lloga janë anëtarët e saposzgjedhur të  KSHZ-së.
 
Deputetët e Lëvizjes BESA, edhe pse votuan pro përbërjes së re të KSHZ-së, konisderojnë se kandidatët për kryetar, nënkryetar dhe anëtarë të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, të cilët aktualisht propozohen nga partitë politike, duhet të jenë profesionistë, jopartiak, në harmoni me rekomandimet e OSBE ODIHR-it.  
 
“Ndoshta është mirë që të mendohet si pjesë e reformës  zgjedhore të sillet një model i ri ashtu siç ka qenë i sugjeruar nga OSBE, që të ketë një model i cili do të jetë i qëndrueshëm dhe i cili nuk do të ketë presionin e kërkesë për të bërë ndyshime i përbërjes së saj në bazë të konstalacioneve momentale”, u shpreh deputeti i Lëvizjes BESA, Kastriot Rexhepi.
 
Detyra dhe sfida e parë e përbërjes së re të KSHZ-së do jetë organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve lokale, të cilat duhet të mbahen në vjeshtë të këtij viti.      
 
SHPËTIM  NUREDINI