Maqedoni

Strugë, rreshjet e shiut shkaktojnë ndotje tek uji për pije

12.01.2021 17:11

Javë më parë qytetarët e Strugës kishin mungesë të ujit për pije ndërsa tani...

Javë më parë qytetarët e Strugës kishin mungesë të ujit për pije ndërsa tani, ka disa ditë që nuk përdorin ujin për pije, sepse rreshjet e shiut kanë shkaktuar ndotje. 
 
Qytetarët e revoltuar thonë se problemi i ujit në Strugë asesi nuk po rregullohet. Ata blejnë ujë për pije ndërsa kërkojnë nga organet kompetente që të marrin masa për të zgjidhur problemin. 
 
“Sa her që bie shi këtu në Strugë probleme ka, po për të pi blejmë në shitore. Nuk e di pse i kemi këto probleme, Struga mbytet prej ujit dhe nonstop probleme, nuk e di ku është qëllimi që nuk vendoset ky problem, duhet sa ma shpejtë pa ujë ska jetë”...
 
“Uji është shumë i dëmtuar, gjatë kohë uji ka qenë në nivel katastrofal”...
 
“Nuk është për pije, pas shirave i ndotur është, më parë thonin që kishte mungesë dhe skishte mjaftueshëm ujë”, shprehen qytetarët për TVM2.
 
Nga ndërmarrja e ujësjellësit dhe kanalizimit në Strugë thonë se problemi ndodh për shkak se një kohë të gjatë nuk ka pas rreshje, ndërsa tani për disa ditë me rradhë rreshjet e mëdha kanë shkaktuar dëme. Ndërsa ni problem tjetër i madh janë edhe elektranat të cilat marrin shumë ujë nga rrjeti i ujësjellësit në qytet. 
 
"Një nga problemet ishte dmth që rreshje nuk ka pasur 6 7 muaj dhe menjëherë kur erdhi uji i madh, ndoshta edhe gypat përcjellës ishin të ndotura pak dhe e sollën menjëherë me breshëri ujin dhe ndotjet. Dhe një nga problemet më të mëdhaja që e kemi hasur me ekipin tim është edhe problemi me elektranët që janë lartë, kompanit private që menaxhojnë për prodhim të rrymës elektrike, ato kërkojnë sa më shumë ujë dhe janë lidhur drejtpërdrejt me rrjetin tonë“, theksoi drejtori i NP ujësjellësi dhe Kanalizimi, Dashmir Nasufi.
 
Nga ndërmarrja thonë se do të bisedohet me elektranët dhe nëse nuk zgjidhet problemi me to, do të shkëpusin kontratën dhe rrjeti i ujit të shërbejë vetëm për qytetin.
 
Ndërsa sa i përket kanalizimeve, ata lajmërojnë se ka pasur probleme dhe bllokime, për shkak se qyteti është zgjeruar shumë ndërsa gypat kanë mbetur të vegjël dhe së bashku me komunën do të kërkojnë ndihmë ka qeveria për të zgjidhur problemin. 
 
ILMIJE ZHAKU