Botë
Osmani: BE më e zëshme që Serbia t’i zbatojë marrëveshjet
12.01.2021 18:56
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani...

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në takimin e sotëm me Komisionerin e BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, ka kërkuar që BE të jetë e zëshme në raport me Serbinë, në mënyrë që ky shtet t’i zbatojë marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel.
Sipas saj, procesi i integrimit në BE është ndër qëllimet kryesore të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës, duke konfirmuar vullnetin e institucioneve të vendit dhe të gjithë qytetarëve për avancim të mëtutjeshëm në këtë proces.
Ajo ka ritheksuar faktin se Republika e Kosovës i ka plotësuar të gjitha kriteret formale për liberalizimin e vizave për zonën Schengen. Vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Komisionit Evropian në finalizimin e këtij procesi, teksa kërkoi edhe ndihmën e Komisionit Evropian për t`i bindur shtetet anëtare të BE-së për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Komisioneri Varhelyi, tha se me Osmanin kanë diskutuar për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Theksuam rëndësinë që Kosova të vazhdojë me zbatimin e reformave të lidhura me Bashikimin Evropian, përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe bashkëpunimin në rajon, duke tërhequr përfitimet nga Plani Ekonomik dhe i Investimeve”, ka shkruar Varhelyi në profilin e tij në Tuitter.
