Shqipëri: Përmirësohet situata me përmbytjet; Kosovë: Situata me vërshimet nën kontroll
Pas disa ditësh nën ujë, sot ka pasur përmirësim të situatës në zonat e përmbytura ne Shqipëri...

Në qarkun Lezhë, prurjet në lumin Drin, Gjadër e Mat janë pakësuar. Po ashtu dhe niveli i ujit në hidrovore, sipas shtabit të emergjencave, ka pësuar rënie.
Ndërkohë vazhdojnë të jenë nën ujë rreth 2600 hektarë tokë bujqësore, kryesisht në zonën e Torovicës e Zadrimës. Situatë ende e vështirë paraqitet në qarkun e Shkodrës.
Ndonëse moti është përmirësuar prurjet e lumenjve vazhdojnë të jenë në kufijtë e maksimales, ndërsa ka shkuar në 1900 hektarë sipërfaqja e tokave të përmbytura.
Sipas autoriteteve, rruga për në Obot vazhdon të mbetet e bllokuar për shkak të prezencës së ujit.Ndërkohë në qarkun e Durrësit nuk raportohet për probleme, pasi uji është tërhequr.
Edhe në Kosovë situta me vërshimet shkon drejt përmirësimit. Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se përveç dëmeve materiale, nuk ka pasur të lënduar dhe as viktima në njerëz. Sipas tij, gjendja vazhdon të jetë e rëndë, por me tendencë përmirësimi.
Ekipet e Xhenios, Kompania për Operacione Civile e FSK-së si dhe Njësitet e Ekipeve të Zjarrfikësve dhe të Shpëtimit, janë duke i ndihmuar banorët në zonat e prekura nga vërshimet.
Kanë vazhduar intervenimet e Njësiteve të Kërkim Shpëtimit dhe të xhenios së FSK-së në një lokacion në komunën e Fushë Kosovës dhe në dy lokacione në komunën e Vushtrrisë, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, ka zhvilluar operacione për largimin e ujit nga objektet me rendësi vitale siç janë Klinika e Pulmologjisë në QKUK, KEK-u, Trafostacioni Interkonektiv në Drenas dhe Spitali i Gjinekologjisë në Çagllavicë.
