Botë
Covid-19, prej 4-10 janar 5 milion të infektuar në botë
13.01.2021 14:38
Prej 4 deri më 10 janar, në botë janë regjistruan rreth 5 milion raste të reja me Covid-19..

Prej 4 deri më 10 janar, në botë janë regjistruan rreth 5 milion raste të reja me Covid-19, ndërsa në të njëjtën periudhë kanë vdekur 85 mijë e 436 persona. Javën e kaluar, në Amerikën Veriore dhe Jugore është konfirmuar numri më i madh i rasteve të infeksioneve të reja, prej 2.5 milionë, ndërsa kanë vdekur 38 mijë persona. Evropa ka regjistruar 1.8 milionë raste të reja me Covid-19 dhe 36 mijë vdekje.
Marrë parasysh gjendjen e përhapjen e virusit, Gjermania nuk do të jetë në gjendje t’i heqë të gjitha masat kufizuese në fillim të shkurtit, ka thënë ministri i Shëndetësisë, duke insistuar se duhet reduktuar kontaktet për të evituar ndonjë variant më përhapës të virusit korona.
Qeveria gjermane ka aprovuar kontrollet më strikte ndaj njerëzve që futen në vend, pasi mbyllja nacionale është zgjatur javën e kaluar deri në fund të janarit dhe janë ashpërsuar edhe më tej masat. Me masat e reja u kërkohet njerëzve që vijnë nga shtetet me numër të madh të rasteve me COVID apo nga shtetet ku po qarkullon variant më ngjitës i koronavirusit, që t’i nënshtrohen testit PCR. Një lloj i ri, i virusit Korona, i cili fillimisht ishte regjistruar në Britaninë e Madhe, u zbulua në Hungari, kanë bërë të ditur zyrtarët shëndetësorë.
Lloji i ri u zbulua në mostrat e marra nga tre pacientë. Edhe SHBA-të vendosin testin negativ për virusin Korona për të hyrë në këtë vend. Kjo vlen për të gjithë pasagjerët ndërkombëtarë – e jo vetëm për britanikët, siç ishte deri më tani. Nga ana tjetër, zyrtarët e lartë të Uashingtonit thanë se sekretari i shtetit në largim, Mike Pompeo, do të dalë me “dëshmi tronditëse”, pa e saktësuar ditën apo orën.
Ata thanë se do të shfaqë prova të sakta se SARS-CoV-2 nuk doli nga lakuriqët e natës, apo specie të tjera. Pompeo do të deklarojë se virusi u krijua nga shkencëtarët në Institutin e Virologjisë në Vuhan.
Virusi Korona deri më tani u ka marrë jetën rreth dy milion njerëzve në botë, ndërsa rreth 92 milion njerëz janë infektuar.
GYLTENE SINANI
